Sot u mbajt sesioni i parë i Shkollës Politike të Lëvizjes BESA, ku të rinj nga e gjithë Maqedonia u mblodhën për të dëgjuar, mësuar dhe diskutuar rreth politikës si veprimtari publike dhe intelektuale.
Në modulin “Shteti Modern dhe Ideologjitë Politike”, profesori Abdyl Nentor Musliu ligjëroi mbi formimin e shtetit modern dhe rolin qendror të nacionalizmit si ideologji politike në ndërtimin e shtetit dhe kombit.
Ndërkohë, profesori Hysamedin Feraj, përmes një qasjeje filozofike, solli një analizë mbi parimet themelore të kapitalizmit dhe ideologjisë liberale.
Në ligjëratën përmbyllëse të sesionit të parë, profesori Elvis Hoxha trajtoi raportin mes idesë dhe tekstit, si dy prej premisave themelore të mendimit dhe veprimit njerëzor dhe politik.
Organizimin e Shkollës Politike e përshëndeti edhe kryetari i Lëvizjes BESA, z. Bilall Kasami, i cili theksoi rëndësinë e edukimit politik dhe angazhimit të të rinjve në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të drejtë.
Shkolla Politike e Lëvizjes BESA do të vijojë me sesione të tjera për të lexuar, reflektuar dhe debatuar mbi koncepte, ide dhe vizione.