Ne, një grup punonjësish të Higjienës Komunale dhe të Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërime” në Shkup, të dëshpëruar dhe të lënë në harresë, ndjejmë obligim moral që t’i drejtohemi opinionit dhe institucioneve me këtë letër anonime.
Prej pothuajse katër muajsh nuk kemi marrë pagat tona. Shumë prej nesh janë prindër, mbajnë familje, kanë kredi dhe detyrime elementare për jetesë. Sot, kemi arritur në pikën kur nuk kemi më si të mbulojmë as shpenzimet bazike, energjinë elektrike, ujin, ushqimin për fëmijët tanë.
Me gjithë përkushtimin tonë të përditshëm për ta mbajtur këtë qytet të pastër dhe për ta bërë më të gjelbër, jemi shpërblyer me heshtje dhe papërgjegjësi. Nuk kemi faj që këto ndërmarrje janë futur në borxhe milionëshe nga keqmenaxhimi i udhëheqjes së tanishme të qytetit, nën drejtimin e kryetares Danella Arsovska. Nuk kemi faj që ndërmarrjet tona sot nuk janë më në gjendje të përmbushin detyrimet minimale ndaj nesh si punonjës.
Punojmë në kushte të vështira, shpesh pa pajisje adekuate dhe me paga të ulëta, dhe tani edhe pa paga. Ky është një poshtërim i pastër për dinjitetin e punëtorit, që në vend të vlerësimit për punën, po përballemi me heshtje dhe mospërfillje.
I bëjmë thirrje publike kryetares së qytetit, menaxhmentit të këtyre ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore që të mos luajnë më me jetën dhe mirëqenien tonë. Kërkojmë menjëherë pagesën e rrogave të prapambetura dhe transparencë për gjendjen financiare të ndërmarrjeve.
Nuk kemi më kohë për premtime boshe. Kemi nevojë për veprime konkrete,TANI.
Me respekt,
Punëtorët e dëshpëruar të NP Higjiena Komunale dhe NP Parqe dhe Gjelbërime Shkup