Drejtori i përgjithshëm i Shoqatës Aksionare MEPSO, Burim Latifi, ka bërë të ditur se sot është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes kompanisë që ai drejton dhe operatorit të sistemit të transmetimit të Kosovës, KOSTT.
Latifi, së bashku me homologun e tij nga Kosova, Shaban Neziri, kanë zyrtarizuar bashkëpunimin për ndërtimin e një interkoneksioni të ri 400 kV mes Tetovës dhe Prizrenit, projekt i rëndësishëm strategjik për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit energjetik në rajon.
“Me këtë hap fillojmë rrugën për ndërtimin e një linje të re interkonektive 400 kV Tetovë–Prizren, projekt me të cilin do të rrisim ndjeshëm shkëmbimin ndërkufitar të energjisë elektrike dhe do të forcojmë lidhjen energjetike në rajon,” deklaroi Latifi.
Ai shtoi se ky projekt shkon përtej infrastrukturës dhe përfaqëson një kontribut konkret për tranzicionin energjetik dhe për të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor.
Ky memorandum përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit energjetik rajonal dhe rritjes së sigurisë në furnizim për të dy vendet.