Një piroteknik i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMS), në territorin e fshatit Meglenci, në Komunën e Novacit, ka larguar në mënyrë të sigurt dy granata artilerie të kalibrave 75 mm dhe 155 mm, të mbetura nga Lufta e Parë Botërore. Granatat u gjetën në një zonë që ishte përfshirë nga zjarri në Mariovë disa ditë më parë, njoftoi sot DMS-ja.
“Municionet e pashpërthyera, përkatësisht granatat, u nxorën nga një zonë që më herët ishte përfshirë nga zjarri, por ato nuk shpërthyen nga flakët. Granata të tilla dhe mjete të tjera shpërthyese paraqesin një rrezik shtesë për të gjithë ata që ndodhen në një rajon ku gjenden mjete të tilla, veçanërisht kur ai rajon është përfshirë nga zjarri”, thuhet në njoftimin e DMS-së.
Granatat ishin zbuluar nga pjesëtarë të Njësisë Territoriale Kundër Zjarreve të Manastirit.

