Aziri Aliu do të jetë ministër i ri i Shëndetësisë. Në kuvendin e Maqedonisë së Veriut pas debatit, Aliu u votua me 65 vota “për”, 15 “kundër” dhe asnjë të përmbajtur.
Aliu vjen në vendin e Arben Taravarit i cili kohë më parë dha dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në një fjalim para Kuvendit, propozoi emërimin e Dr. Azir Aliut si ministër të ri të Shëndetësisë dhe Albrim Hoxhës si zëvendësministër të Bujqësisë, duke i cilësuar të dy si figura kyçe në procesin e reformave dhe modernizimit të institucioneve në vend.
“Dr. Azir Aliu përfaqëson një qasje të re dhe moderne në menaxhimin e sistemit shëndetësor. Ai është doktor i shkencave informatike, profesor dhe ekspert me përvojë të gjatë në fushën e sistemeve, të dhënave dhe zgjidhjeve digjitale – profile që i mungojnë shëndetësisë sonë për shumë kohë,” theksoi Mickoski.