Kryeparlamentari Afrim Gashi: Kurban Bajrami është festë e solidaritetit dhe humanizmit

1 Min. Leximi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, humanizmit dhe unitetit në shoqëri.

Në urimin e tij, Gashi vlerëson se Kurban Bajrami është “festë e sakrificës, humanizmit dhe afërsisë mes njerëzve”, ditë në të cilën “përtërihen vlerat më të larta të solidaritetit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë”.

Ai thekson se kjo festë e shenjtë rikujton rëndësinë e kujdesit për njëri-tjetrin dhe të ndarjes së mirësisë me familjen, fqinjët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ngrohtësi njerëzore.

“Kurban Bajrami është gjithashtu një thirrje për më shumë unitet, paqe dhe harmoni në shoqërinë tonë, duke forcuar besimin se vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët”, shprehet Gashi në urim.

Në fund, kryeparlamentari, në emër të Kuvendit dhe në emrin e tij personal, u ka uruar qytetarëve që kjo festë të sjellë begati, shëndet, qetësi shpirtërore dhe lumturi në familjet e tyre, duke përcjellë urimin: “Urime Kurban Bajramin!”.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull