Prishtinë
Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kushtuar mërgatës kosovare po mbahen aktivitete të ndryshme nën moton “Faleminderit Diasporë” në shenjë falënderimi për kontributin e diasporës në çdo etapë të shoqërisë dhe shtetit kosovar, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, raporton Anadolu.
Nën organizimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në dy anët e sheshit u vendosën tenda në të cilat qytetarët, do të mund të informohen dhe të njihen më shumë me platformat e kësaj ministrie dhe me promovimin produkteve vendore, turizmin kulturën, teknologjinë dhe bizneset në Kosovë.
Këshilltari për media i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Leutrim Sahiti tha se ndër aktivitetet kryesore që po zhvillojnë është promovimi i platformës “Shijo Kosovën”, platformë e cila ka për qëllim promovimin dhe realizimin e aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme.
“Ndër aktivitetet kryesore që jemi duke zhvilluar janë promovimi i platformës ‘Shijo Kosovën’, platformë e cila ka për qëllim promovimin dhe realizimin e aktiviteteve të ndryshme, projekteve të ndryshme, të cilat realizohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me shoqërinë civile. Në kuadër të asaj platforme qytetarët informohen për të gjitha aktivitetet dhe projektet të cilat realizohen gjatë kësaj periudhe deri në përfundim të sezonit të verës”, theksoi Sahiti.
Ai tregon se është duke u promovuar edhe platforma MIK, Made in Kosova, e cila ka për qëllim promovimin e bizneseve vendore, si dhe është ngritur një stend për listimin e diasporës, i cili do të zgjasë deri më 31 gusht.
“Siç e shihni afër kemi edhe shtandin që i kushtohet regjistrimit të mërgatës dhe zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës së bashku me zyrtarët e Ministrisë sonë janë duke asistuar qytetarët që të regjistrohen në mënyrë që të ketë një numër edhe më të madh të diasporës së regjistruar si popullsi jorezidente e Republikës së Kosovës”, tha Sahiti.
Për aktivitetet dhe programet e destinuara për diasporën gjatë muajve korrik dhe gusht, Ministria ka ndarë një shumë prej rreth 1 milion euro.
Aktivitetet përfundojnë me një koncert, ku do të performojnë këngëtarë dhe grupe të njohura kosovare, përfshirë edhe shumë nga diaspora. Koncerti fillon në orën 18:00 dhe hyrja është falas për të gjithë.