Kosova hoqi 10 përqindëshin – a po shkruhet një marrëveshje e heshtur me SHBA-të?

9 Min. Leximi

Ditë më parë, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Kosova do ta heqë tarifën doganore ekzistuese prej 10 për qind në mallrat amerikane.

“Tani e tutje, të gjitha produktet me orgjinë nga Shtetet e Bashkuara do të kenë tarifë 0 për qind kur të hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, potencoi Kurti.

- Advertisement -

Ky vendim u mirëprit mjaft mirë, e për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Fillimisht, ai koemntoi taksën e vendosur nga SHBA ndaj Kosovës, e që tha se është simbolike, por që fajësoi politikanët shqiptar për mosbashkëpunim me aleatët kryesor në fushën e tregtisë, por vetmë të politikave të sigurisë dhe atyre të jashtme.

“Taksa prej 10 përqind e mallrave amerikane që hyjnë në Kosovë ishte një taksë simbolike. Po kaq përqind Presidenti Donald Trump ka përcaktuar kohët e fundit edhe taksën për mallrat e Kosovës që hyjnë në SHBA. Në fakt ndikimi në ekonomi është zero, sidomos për SHBA-të. Bilanci tregtar midis të dy vendeve është shumë i ulët. Ndërkohë që ky bilanc mund të ishte shumëfish më i madh. Kjo ka ardhur për mendimin tim, sepse klasa politike shqiptare, jo vetëm ajo e Kosovës, e sheh marrëdhënien me SHBA-të vetëm dhe thjeshtë si marrëdhënie në fushën e politikave të sigurisë dhe të mbrojtjes. Është ky një mentalitet i yni. Nuk është i amerikanëve. Ata me siguri që kanë pritur qoftë edhe një reflektim formal për marrëdhënie secifike në tregti, biznes, investime dhe strategjitë e zhvillimit”.

Krahas kësaj, Bytyçi potencoi se vendimi i Kurtit për heqjen e taksës amerikan ishte simbolik, por me domethënie të madhe.

- Advertisement -

Sipas tij, ky vendim duhet parë si përpjekje për të thelluar marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë aspekti ekonomik dhe i biznesit ka marrë njëfarë roli. Kjo u duk që në letrën e urimit që presidenti amerikan i shkroi presidentes së Kosovës me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku uron që marrëdhëniet ekonomike e të biznesit midis të dy vendeve të zhvillohen sa më shumë. Ishte Vjosa Osmani, ajo që e kapi e para mesazhin e zotit Trump. Ajo disa herë ka bërë thirrje për të ndërtuar një strategji për lidhjet ekonomike me SHBA-të. Kryeministri Kurti mori ndërkohë vendimin e shumëpritur. Hoqi taksën prej 10 përqind për mallrat amerikane që hyjnë në vendin tonë, Kosovë. Ky ishte një vendim simbolik, por me domethënie shumë të madhe. Ështe shprehje e solidaritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kthimit në një farë mënyre të borxhit që ne shqiptarët u kemi atyre për kontributin vendimtar për lirinë tonë.

Ky vendim do të lexohet si shenjë e një vullneti të mirë për t’i çuar përpara këto marrëdhënie. Moskonstituimi i parlamentit dhe institucioneve e ka vështirësuar dhe bllokuar këtë proces. Sepse është parlamenti ai që vendos ligje për investimet, tregtinë dhe tarifat me shtetet e huaja. Qeveria mori një vendim. Por ky është shumë pak në krahasim me atë që duhen rregulluar. Të kuptohemi: – SHBA-të as ngrihen as bien nga marrëdhëniet ekonomike, të tregtisë, biznesit dhe investimeve me Kosovën. Kosova ka nevojë shumë herë më tepër për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj duhet një ligj, ose memorandim ligjor me rolin e një ligji thuajse kushtetues, për të favorizuar mketo marrëdhënie me Uashingtonin”, shpjegoi profesori.

Më tej, ai foli për ligjet e investimeve, bizneset dhe krijimit të mundëisve për të thelluar tregtinë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Biznesi amerikan është i interesuar p.sh për zhvillimin e sektorit energjitik. Duhen ftuar kompanitë e fuqishme amerikane të investojnë në këtë sektor. Por më parë u duhen lehtësuar të gjitha proçedurat, pa asnjë pengesë në aspektin e kërkesës për barazi në tendera dhe proçedurat burokratike. SHBA-të duhet të kenë të drejtën të investojnë direkt në ekonominë e Kosovës pa konkurencë. Sepse ato e çliruan atë pa proçedura ligjore që pengonin angazhimin e saj. SHBA-të janë e duhet të jenë partneri i parë në investime dhe marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, profesori potencoi se mund të ketë hatërmbetje nga ana e BE-së për këtë vendim, ndonëse ata nuk i kanë politikat dhe qëndrimet ndaj Kosovës, siç i ka SHBA-ja.

Ai theksoi se Amerika është e unifikuar dhe mbështet shumë me shumë shtetin tonë, se vendet europiane.

“E di se në Bashkimin Europian do të ketë hatërmbetje dhe ndoshta do të nxirren edhe pengesa në integrim, për shkak të një ligji specifik që favorizon SHBA-të në këto marrëdhënie me Kosovën. Do të na thuhet “Ju jeni në Europë dhe nëse doni të integroheni, atëherë zbatoni ligjet europiane edhe sa i përket tarifave me SHBA-të”! Por europianët kanë problem me veten në radhë të parë. Ata nuk kanë të njëjtin qëndrim në unison në politikat ndaj Kosovës. Gjithmonë gjendet një president francez që i bllokon zhvillimet në Kosovë, sidomos në fushën e integrimit. Madje edhe që ta fajësojë Kosovën për faje të paqena e të vendosë sanksione kundër saj. Kemi tashmë një eksperiencë të mjaftueshme për të kuptuar se BE nuk është aq miqësore me Kosovën. Kjo edhe për shkak të interferencabve lobiste të Beogradit dhe Rusisë.

SHBA-të, mendoj se kanë tjetër qëndrim. Janë të unifikuara. E vlerësojnë faktin që shqiptarët janë populli më pro-amerikan në botë. Janë unikë në qëndrimet e tyre. Edhe një kongresmene amerikane që ka marrë përsipër të lobojë për Serbinë në SHBA, ka bërë thirrje që Serbia ta njohë Kosovën dhe anasjelltas edhe Kosova- Serbinë. Që do të thotë se në çeshtjen themelore të njohjes, respektimit të sovranitetit dhe pakthyeshmërisë së pavarësisë shtetërore, në Uashington janë të gjithë bashkë. Lidhjet e ngushta ekonomike me një paketë ligjore favorizuese dhe me grupe pune studimore të përbashkëta, do t’i çojnë me tej këto lidhje”.

Në fund, krahas angazhimit për lidhje ekonomike, profesori bëri thirrje që në Kosovë të zhvillohet industria e armatimit, me qëllim që kompanitë amerikane prej shtetit tonë t’i tregtojnë armët kudo nëpër botë.

“Ndërkohë lidhjet ekonomike i bëjnë SHBA-të të angazhohen shumëfish më tepër për të investuar për çeshtjet e sigurisë dhe të mbrojtjes. Sepse ato mbrojnë kësisoj investimet e tyre. Nëse ka interes nga SHBA për Trepçen, pse të mos jepet me koncesion për ndonjë kompani amerikane. Po kështu për thëngjillin dhe energjitikën në përgjithësi, bateritë dhe sektorë të tjerë. Duhen krijuar gjithashtu kushte që në Kosovë të zhvillohet industria e armatimit, me qëllim që kompanitë amerikane prej këtu t’i tregtojnë armët kudo nëpër botë. Gjithçka që ka nevojë Uashingtoni duhet marrë shumë seroizisht. Madje lidershipi i Kosovës si dhe qytetarët e saj duhet të jenë të lumtur nëse ka interes amerikan për të investuar në ekonomi dhe në sigurinë kombëtare të vendit. Hjeqja e taksës prej dhjetë përqind duhet konsideruar si fillimi”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull