Këshilltarja e Lidhjes Shqiptare në Komunën e Butelit, Senka Nuhiu Qafleshi, i është kundërpërgjigjur kryetarit të komunës, Darko Kostovski, përmes një reagimi publik, duke kërkuar respekt ndaj këshilltarëve shqiptarë dhe duke kundërshtuar gjuhën e përdorur ndaj tyre.
Në reagimin e saj, Nuhiu Qafleshi e ka sfiduar Kostovskin që të tregojë se sa herë ka marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Komunal gjatë 17 seancave të mbajtura, si dhe të bëjë publik emrat e personave që pretendohet se kanë kërkuar tokë apo përfitime të tjera nga këshilltarët.
Ajo ka theksuar se këshilltarët shqiptarë nuk pranojnë të ngarkohen me akuza dhe se kërkesa e tyre lidhet me respektimin e të drejtave të shqiptarëve, veçanërisht të drejtën për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Banesa e toka keni ju, e jo ne. Pse kërkojmë hisen tonë që na takon me ligj, e ajo është pasuria jonë më e madhe: Gjuha Shqipe”, ka shkruar Nuhiu Qafleshi.
Ajo gjithashtu i ka bërë thirrje kryetarit të Butelit të tregojë respekt ndaj këshilltarëve dhe qytetarëve, duke theksuar se komuna nuk është pronë private e tij.
“Komuna s’është prona jote, por e qytetarëve, dhe mjaft me atë sjellje si kapadai, se askush s’ta ka frikën!”, thuhet në reagimin e këshilltares shqiptare.
Nuhiu Qafleshi ka paralajmëruar se këshilltarët shqiptarë do të vazhdojnë të kërkojnë respektimin e të drejtave të qytetarëve që përfaqësojnë.

