Këshilltarët e VLEN-it në Qytetin e Shkupit: Nisin procedurat për ndërtimin e rrugës “Mit’hat Frashëri” në Çair

3 Min. Leximi

Këshilltarët e koalicionit VLEN në Këshillin e Qytetit të Shkup kanë bërë të ditur nisjen e procedurave për realizimin e projektit për ndërtimin e rrugës “Mit’hat Frashëri”, një projekt i shumëpritur që synon të përmirësojë infrastrukturën dhe qarkullimin në Çair.

Në një konferencë për shtyp, këshilltarët theksuan se projekti po realizohet në bashkëpunim me Komunën e Çairit dhe do të sjellë ndryshime të dukshme për qytetarët e kësaj zone.

“Si këshilltarë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, sot kemi kënaqësinë të ndajmë me ju një lajm të mirë dhe të rëndësishëm. Në bashkëpunim me Komunën e Çairit, po nisim procedurat për realizimin e projektit për ndërtimin e rrugës ‘Mit’hat Frashëri’, një projekt i shumëpritur që do të sjellë ndryshim të dukshëm në këtë pjesë të qytetit”, deklaruan ata.

Sipas tyre, projekti përfshin ndërtimin e një segmenti rrugor që fillon nga kryqëzimi i rrugës “Xhon Kenedi” me rrugën “Mit’hat Frashëri” deri te kryqëzimi i rrugës “Bosna dhe Hercegovina” me rrugën “Mit’hat Frashëri”, me gjatësi rreth 1.400 metra.

“Bëhet fjalë për një rrugë moderne me gjerësi prej 22 deri në 25 metra, e projektuar për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe zhvillimit urban të kësaj pjese të qytetit. Rruga do të përbëhet nga katër korsi për qarkullimin e automjeteve, përkatësisht dy korsi në secilin drejtim”, thuhet në deklaratë.

Në pjesën qendrore të rrugës do të ndërtohet edhe një brez i gjelbër prej 2 metrash, ndërsa projekti parasheh edhe shtigje për biçikleta në të dy drejtimet dhe trotuare me gjerësi nga 2 deri në 2.5 metra për këmbësorët.

“Projekti parasheh gjithashtu shtigje për biçikleta me gjerësi prej 2 metrash në të dy drejtimet, si dhe trotuare për të garantuar lëvizje më të sigurt dhe më komode për këmbësorët”, theksuan këshilltarët.

Sipas tyre, në kuadër të projektit do të realizohen edhe zgjerime për stacionet e autobusëve në të dy anët e rrugës, me qëllim përmirësimin e transportit publik.

“Ky projekt flet qartë për drejtimin që po merr Çairi, më shumë rregull, më shumë lëvizshmëri, më shumë siguri dhe më shumë kushte të denja për qytetarët. Rruga ‘Mit’hat Frashëri’ është një punë konkrete që do ta lehtësojë jetën e përditshme dhe do t’i japë kësaj zone një pamje krejt tjetër”, u shprehën ata.

Këshilltarët e VLEN theksuan se do të vazhdojnë me projekte konkrete për qytetarët.

“Ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, me punë që shihen në terren dhe me vendime që kthehen në rezultate. VLEN do të vazhdojë të jetë zëri i projekteve, i punëve të kryera dhe i lajmeve të mira për qytetarët në çdo pjesë të komunës.” 🏗️🚧🛣️

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull