Bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami tha se sulmet e koordinuara nga Tirana, si nga zyrtarë, analistë dhe artistë, janë në dritën e relacioneve personale të Tiranës zyrtare me përfaqësuesit shqiptarë në pushtet në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, ai tha se është mirë që Tirana më në fund po reagon për çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut, edhe pse me 20 vite vonesë.
“Përkundër kësaj politike ditore që po ndodh, përsëri, unë nga natyra jam optimist dhe e vlerësoj pozitive gjithë këtë situatë sepse megjithatë Tirana zyrtare po reagon. Artistët po reagojnë. Këtë është dashur ta bëjnë 20 vite më parë, që mos të degradojë pozita e shqiptarëve aty ku e gjetëm ne para dy viteve”, deklaroi Kasami.
Ai tha se dëshiron që raportet zyrtare mes Shkupit dhe Tiranës mos të shihen në prizmin personal dhe emocional, por të mbahet raporti institucional, për të mirën e shqiptarëve.
Kasami theksoi se nëse Edi Rama do nuk do t’i shihte këto raporte emocionalisht dhe të reagonte ndaj degradimit të çështjes shqiptare në kohën e BDI-së, sot shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të ishin në pozitë shumë më të mirë.
“Pra, sikur Edi Rama mos ishte sjellur emocionalisht përballë Ali Ahmetit dhe BDI-së, sikur t’i kishte kritikuar 10% sa na kritikon neve, sigurisht se edhe Ali Ahmeti dhe BDI do të ishin më të kujdesshëm”, tha Kasami.

