Vazhdon debati për reforma në Kodin Zgjedhor, përcjell TV21. Ziadin Sela nga ASH, pjesë e Frontit Europian, thotë se ASH-ja është kundër propozimit për një njësi zgjedhore. Sela thotë se ASH-ja është për 8 njësi zgjedhore dhe për lista të hapura.
“Po, ASH-ja ka propozimin e vetë dhe ky propozim është që të ketë 8 njësi zgjedhore, po aq sa janë rajonet për zhvillim të barabartë ekonomik. Ideja e një njësie zgjedhore është gabim, në qoftë se e kanë me gjithë mend, që duhet të hapet kjo temë. Duhet parë cilat janë pikat e përbashkëta, që këto propozime ne gjithë i kemi, gjithë pa përjashtim themi listat duhet të jenë të hapura, le t’i bëjnë listat e hapura”.
Nga ana tjetër, Bilall Kasami nga VLEN thotë se VLEN po shqyrton nëse do të mbështesë idenë për një, tre apo tetë njësi zgjedhore.
“Kjo mund të ketë edhe implikime ndëretnike, sepse me një njësi zgjedhore sigurisht që duhet të ketë garanci që në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut do të mund të ruhet vota dhe nuk do të mund të ketë deformime të realitetit etnik të përfaqësimit në Kuvend. Pra duke i marrë parasysh të gjitha këto aspekte. Ne jemi duke ndërtuar qëndrimin tonë se a do të jemi për një njësi zgjedhore, për tre apo për tetë”, deklaroi Kasami.