Kallas pas takimeve të ndara me Kurtin e Vuçiqin: “Është koha për të ecur përpara”

10 Min. Leximi

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ka ngritur nevojën për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë takimeve të ndara që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kallas përmes një postimi në platformën X ka thënë se përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian duhet të ecin paralelisht.

“Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese.” – ka shkruar Kallas.

Sipas saj, zbatimi i marrëveshjeve nuk duhet të shihet si një favor ndaj Brukselit, por si detyrim ndaj qytetarëve dhe rajonit.

“Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale.” –  ka deklaruar ajo.

Kallas ka thënë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë një “arbitër i paanshëm”, por ka theksuar se roli i BE-së në lehtësimin e dialogut nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë.

“Është koha për të ecur përpara.” – ka përfunduar Kallas.

Më 22.09.2026, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit ka kërkuar përkrahjen e Bashkimit Europian për t’i bërë presion Serbisë në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Ndërkohë, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofrojnë mbrojtje dhe shërbime, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”- ka shkruar Kurti në Facebook.

Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurti ka thënë se ka shprehur shqetësimin e tij për dënimet e shqiptuara, të cilat i ka cilësuar si “të rënda dhe të padrejta”, si dhe për mungesën e transparencës gjatë procesit.

“Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohen në shkallën e apelit”- ka deklaruar ai.

Kurti ka folur edhe për luftën e fundit në Kosovë, duke thënë se UÇK-ja, sipas tij, ishte përgjigje ndaj represionit dhe krimeve të kryera nga forcat serbe.

Ai ka shtuar se gjatë luftës qindra mijëra qytetarë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra janë vrarë.

Gjithashtu, Kurti tha se ka përmendur edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe se, sipas tij, shumë prej krimeve të forcave serbe ende nuk janë ndëshkuar.

Një tjetër çështje që Kurti ka thënë se e ka ngritur me Kallasin është gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sipas tij, shqiptarët në Serbi përballen me diskriminim dhe nënpërfaqësim në institucione, ndërsa ka pretenduar se po vazhdon edhe spastrimi etnik administrativ me heqjen e adresave.

Statusi i Marrëveshjes së Ohrit dhe e ardhmja e procesit të dialogut kanë nxitur një debat mes ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, dhe ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë punimeve të Forumit të Dubrovnikut më 27.06.2026.

Ndërsa pala e BE-së thotë se dokumenti është plotësisht i vlefshëm dhe obligativ edhe pa nënshkrim, pala e Kosovës ka shprehur skepticizëm, duke deklaruar se pa bërthamën e saj – që është njohja de facto – marrëveshja nuk po funksionon në terren.

Ndërmjetësi i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ka sqaruar se sipas jurisprudencës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), një marrëveshje ndërkombëtare nuk ka nevojë për nënshkrim formal për të qenë e vlefshme.

“Dyshimet për këtë mund të lindnin vetëm nëse në dhomë do të ishin vetëm dy palë. Por në dialog jemi tre palë dhe ne (BE) ishim aty kur ajo u arrit. Ne e kemi mirëpritur atë, dhe Këshilli në konkluzionet e tij të përsëritura i është referuar vazhdimisht kësaj marrëveshjeje”- tha Sorensen gjatë panelit.

Sorensen, tregoi se sapo mori detyrën ka kontrolluar statusin ligjor marrëveshjeve të arritura deri më tani mes palëve, duke u konsultuar me ekspertë të lartë ligjorë në Bruksel dhe Nju Jork.

“Është shumë e qartë: Marrëveshja e Ohrit është një zotim ndërkombëtar. Nuk është tekst traktati — dhe këtu qëndron shpesh konfuzioni — por është një zotim ndërkombëtar…Ne e konsiderojmë këtë një marrëveshje ndërkombëtare të vlefshme që duhet respektuar”- shtoi ai.

Ai pranoi se çështje të mëdha mbeten të pazbatuara, ndonëse shtoi se procesi ka filluar në disa pjesë specifike, siç është rasti me personat e pagjetur.

“Ne e konsiderojmë këtë marrëveshje si një marrëveshje ndërkombëtare që duhet të respektohet. Tani, fakti që kjo mund të mos jetë saktësisht ashtu siç e kanë parë disa politikanë tregohet edhe nga momenti që zbatimi në fakt ka filluar në disa pjesë – ka pjesë aty, veçanërisht sa i përket personave të pagjetur – por ka gjithashtu edhe çështje të mëdha që mbeten të pazbatuara”- tha ai.

Nga ana tjetër, Glauk Konjufca ka shpjeguar se pala e Kosovës ishte plotësisht e gatshme për ta nënshkruar dokumentin, por refuzimi i Serbisë i detyroi ndërmjetësit të ndryshonin strategji, duke e shndërruar atë në një format që nuk po jep rezultate.

“Ne shpresonim se kishim një marrëveshje. Sigurisht që ajo nuk është e nënshkruar. Kryeministri ynë, Albin Kurti, shprehu qartë vullnetin e tij për ta nënshkruar këtë marrëveshje, por ajo u refuzua nga Serbia. Ky ishte momenti i saktë i kthesës, kur ndërmjetësit menduan se si të përshtateshin me këtë situatë të re”-  deklaroi Konjufca.

Sipas tij, dokumenti fillimisht nuk ishte konceptuar në këtë formë, por më vonë u transformua në një lloj “marrëveshje xhentlemenësh” (gentleman’s agreement) — e shkruar, por e panënshkruar.

“Ne nuk ishim të lumtur me këtë. Mendonim se duhej të ishte një marrëveshje ndërkombëtare që vendos obligime specifike për t’u përmbushur. Në fund, ndërmjetësit thjesht e publikuan në faqen zyrtare të Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe thanë: ‘Kjo është marrëveshja dhe duhet ta përmbushni’. Por, për të qenë i sinqertë, kjo nuk po funksionon.”

Konjufca vuri gishtin te ajo që Kosova e konsideron si problemin kryesor të këtij procesi.

“Pjesët që përmendi zoti Sorensen janë vetëm disa pika… por nuk janë bërthama e marrëveshjes. Bërthama e saj, ashtu siç e kemi kuptuar të gjithë ne, duhet të emërohet saktë: dhe ky emërim është njohja de facto e Kosovës nga Serbia. Jo njohje ligjore de jure, por një njohje de facto”-  tha ai.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.

Megjithatë, Dialogu Kosovë-Serbi ka çaluar përgjatë viteve të fundit.

Në mars të vitit 2026, u bën tri vite që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Megjithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.

 

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull