Propozimi që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular i Tetovës të shndërrohet në park memorial publik, do të përkrahet edhe nga Komuna e Tetovës, raporton Portalb.mk.
Nisma Zero së bashku me familjarët e viktimave të tragjedisë në spitalin modular dje dorëzuan në Komunën e Tetovës kërkesë ku propozojnë që hapsira ku ndodhej objekti i spitalit modular të shndërrohet në park memorial publik.
I pyetur nga Portalb.mk nëse do ta përkrahin këtë nismë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se komuna do të përkrahë gjithçka që ka të bëjë me tragjedinë e spitalit modular
“Edhe në këtë rast dhe në shumë raste tjera që kanë ndodhur në të kaluarën, kërkojmë nga institucionet e drejtësisë që të njëjtat të zbardhen dhe familjarët e viktimave të marrin drejtësinë e merituar. Ne si pushtet lokal jemi të gatshëm të përkrahim çdo iniciativë që së paku familjarët e viktimave të rastit të spitalit modular të kenë një rehati shpirtërore”, tha Kasami.
Nga Nisma Zero bënë të ditur se kërkesa i është dorëzuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë, megjithatë nga ky institucion nuk kanë dalë me qëndrim nëse do përkrahin një gjë të tillë.
“Është detyrë e tyre që të mos neglizhohet tragjedia që ka ndodhur dhe të mos shndërrohet në hapsirë ku vendosen veturat e vjetra, që është momentalisht te parkingu i Spitalit të Tetovës ku ka ndodhur tragjedi”, tha Blendi Hodai nga Nisma Zero.
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu nuk e komentoi këtë kërkesë.
Kujtojmë që në nëntor të vitit 2022 drejtori i atëhershëm i Spitalit të Tetovës Amir Elezi paralajmëroi se në këtë në vendin ku ndodhej objekti i spitalit modular, parashihej të vendosej pllakatë përkujtimore për viktimat e tragjedisë. Mirëpo kjo pllakatë nuk u vendos asnjëherë.
LEXO: Parashihet të vendoset pllakë përkujtimore te vendi i Spitalit Modular
Hapsira ku gjendej objekti i spitalit modular u shndërrua në parking, madje aty sot janë të vendosura disa vetura të vjetra.
Pavarësisht se kanë kaluar gati dy vjet që kur Prokuroria Publike e RMV-së njoftoi se po zhvillohet një hetim i dytë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për zjarrin në spitalin modular, ende nuk ka vendim. Prokuroria thotë se hetimet vazhdojnë duke mos dhënë detaje tjera.
Kujtojmë që në maj 2024 Gjykata e Tetovës e shpalli vendimin e rigjykimit për këtë rast, ku me 1 vit e 6 muaj burg u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës Florin Besimi dhe ish drejtoi ekonomik Artan Etemi, ndërsa Spitali i Tetovës me 1 milion denarë.
Për dallim prej akgjykimit të parë kur dënimi po ashtu ishte me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, kësaj here dënimi është pa kusht.
Të akuzuarit nuk u akuzuan për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale, për mos vendosje të aparateve kundër zjarrit.
Besimi dhe Etemi u shpallën fajtorë për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Rasti ishte në rigjykim pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në Gjykatën Themelore në Tetovë.