Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se në Shkup do të organizohet për herë të parë “Panairi i Librit Shqip, Shkup 2026”, i cili do të mbahet në Sheshin Skënderbe nga 4 deri më 7 qershor. Ai tha se kjo ngjarje do ta kthejë Çairin në qendër të librit, kulturës dhe takimeve mes autorëve e lexuesve.
“Ka vende ku librat qendrojnë në rafte, e ka vende ku librat dalin në shesh dhe i bashkojnë njerëzit. Kësaj radhe, në Çair po përgatitet një ngjarje që sjell fjalën e shkruar mes qytetit, mes lexuesve, autorëve dhe dashamirësve të librit. Sheshi do të mbushet me faqe, ide, takime dhe histori që krijojnë një atmosferë të veçantë kulturore.
Në kuadër të përgatitjeve për këtë ngjarje të rëndësishme, sot zhvillova takim pune me Fatmir dhe Irena Tocin, si dhe Muhamet Murtezin, ku në bashkëpunim mes Komunës së Çairit dhe Institutit të Librit dhe Promocionit nga Tirana, ku diskutuam për fazën përfundimtare të organizimit dhe detajet e fundit të përgatitjes.
Gjithçka po shkon drejt realizimit të një ngjarjeje që për herë të parë do të sjellë në Shkup Panairin e Librit Shqip, Shkup 2026, i cili do të mbahet në Sheshin Skënderbe më 04, 05, 06 dhe 07 Qershor.
Bashkë, për librin shqip, në Çairin tonë!”, ka shkruar Mexhiti.

