Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me ambasadoren e ShBA-së në vend, znj. Angela Aggeler, duke theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe përparimit drejt integrimit evropian.
“Ky ishte mesazhi që përcolla në këtë takim me një mike të madhe të vendit tonë”, tha Mexhiti, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme amerikane për reformat në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Ai ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për rrugën eurointegruese, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në kuadër të NATO-s si garanci për siguri, stabilitet dhe zhvillim.
Në takim u diskutua edhe për projektet madhore infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, që Mexhiti i cilësoi si thelbësore për rritjen ekonomike dhe lidhjen rajonale.
Takimi, sipas tij, u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke rikonfirmuar vullnetin e përbashkët për bashkëpunim të thelluar e afatgjatë me Shtetet e Bashkuara.