Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka bërë thirrje për qetësi dhe maturi mes tensioneve të ngritura në lidhje me çështjen e gjuhës shqipe. Ai ka siguruar qytetarët se Qeveria po punon për të gjetur zgjidhje afatgjata dhe për të garantuar të drejtat e fituara.
“Për çështjen e gjuhës shqipe jemi në të njëjtën anë me të gjithë shqiptarët. Askush të mos ketë as dilemën më të vogël lidhur me këtë! Të drejtat e fituara nuk mund të suprimohen dhe as të abrogohen. Për këtë jemi garantues ne, përfaqësuesit e popullit në institucione,” deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se Qeveria është duke harmonizuar qëndrimet dhe veprimet me aktorët shoqërorë dhe se nuk do të lejojë abrogimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, as rrënimin e frymës së bashkëjetesës që garanton Marrëveshja e Ohrit.
Zëvendëskryeministri i parë i shprehu mbështetje iniciativave që synojnë avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe bëri thirrje që betejat politike të mos e cenojnë këtë çështje madhore.
“Përsëri ju bëj thirrje të gjithëve për qetësi dhe gjakftohtësi. Kjo është një çështje më e madhe se përditshmëria politike,” përfundoi ai.