Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka njoftuar për një zhvillim pozitiv për punonjësit e N.P.K “Komunalec” në Gostivar, duke theksuar se pas më shumë se dy dekadash pritjeje po zgjidhet çështja e sigurimit shëndetësor.

Sipas saj, bëhet fjalë për një problem të trashëguar ndër vite që ka prekur drejtpërdrejt dhjetëra familje. “Pas më shumë se 20 vitesh pritjeje dhe pasigurie, më në fund po zgjidhet problemi i sigurimit shëndetësor për 109 punonjësit e ‘Komunalec’”, deklaroi Saliu.

Ajo theksoi se zgjidhja ka ardhur përmes angazhimit institucional dhe pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt. “Nga java e ardhshme, këta punonjës do të gëzojnë një të drejtë themelore të mohuar ndër vite dhe do të kenë sigurimin shëndetësor që u ka munguar për kohë të gjatë”, u shpreh ajo.

Deputetja e VLEN-it e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për rikthimin e dinjitetit të punonjësve. “Ky është një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të dinjitetit dhe sigurisë për punonjësit, si dhe një shembull se edhe problemet më të vjetra mund të marrin zgjidhje kur ka vullnet dhe përgjegjësi”, theksoi Saliu.

Ajo shtoi se raste të tilla dëshmojnë rëndësinë e përkushtimit institucional për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.