Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar publikisht lidhur me një deklaratë të bërë në Parlament ndaj Kryetarit të Kuvendit, ku përmendej leximi në gjuhën arabe. Saliu ka theksuar se, ndonëse gjatë mandatit të saj ka zgjedhur të mos merret me veprime individuale të kolegëve, ky është një rast ku heshtja nuk mund të jetë opsion.
”Për gati dy vite, sa ushtroj mandatin e deputetes, nuk kam zgjedhur të reagoj ndaj veprimeve individuale të kolegëve. Kam preferuar të flas për fenomene dhe çështje me interes publik, pa i personalizuar debatet, dhe këtë qasje do ta vazhdoj edhe në të ardhmen. Megjithatë, ka raste kur nuk mund të jemi indiferent dhe kur vlerësojmë se heshtja nuk është zgjidhje. Ky është një prej tyre,” është shprehur ajo.
Çështja kryesore e reagimit lidhet me shprehjen e përdorur ndaj kryetarit të Kuvendit: “Shpresoj të mos vazhdosh të lexosh në gjuhën arabe edhe më tutje”. Për këtë arsye, deputetja e VLEN-it ka kërkuar llogari publike nga kolegia e saj për të sqaruar prapavijën e fjalëve të përdorura.
”Prandaj pres që kolegia të sqarojë publikisht se çfarë ka dashur të nënkuptojë me shprehjen drejtuar kryetarit të Kuvendit. Neve, si kolegë në Kuvend, por edhe opinionit publik, i detyrohet një sqarim. A ishte kjo një bindje personale, një figurë retorike apo diçka tjetër?” ka deklaruar Saliu.
Ajo ka nënvizuar se mënyra se si është thënë kjo fjali lejon hapësirë për keqinterpretime dhe mund të perceptohet si e dëmshme e fyese për shumë qytetarë. “E thënë në atë mënyrë, deklarata lë hapësirë të perceptohet si fyese për shumë njerëz për të cilët ka rëndësi të veçantë. Pikërisht për këtë arsye, pres një sqarim publik, në mënyrë që të mos mbeten dilema rreth domethënies së saj,” ka përfunduar deputetja Saliu.

