Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, tregon se çfarë aktivitete do të ndërmarë BFI dhe Myftinia e Shkupit gjatë muajit të Ramazanit. Përpos aktiviteteve gjatë namazeve dhe vendosjen e bilbordeve, ata do të shtrojnë dhe iftare falas për kategori të ndryshme shoqërore.
“Fillimisht iftarin e parë do ta hamë bashkë me nëpunësit fetarë të cilët shërbejnë nëpër xhami. Pastaj kemi një iftar që e realizojmë për personat me nevoja të veçanta, me një tribunë që do ta bashkangjesim me një teolog dhe psikolog. Pastaj do të bëjmë një iftarë bashkë me ata që e mirëmbajnë jetën fetare dhe iftar që e kemi për çdo natë për familjet në nevojë dhe për studentët, por edhe për familjet me jetimë. Mjafton që brenda kësaj jave të paraqiten të bëjmë listat dhe grupet”, tha Qenan Ismaili, myfti i Shkupit-BFI.
Siç njoftoi myftiu Ismaili, pagesa e fitrit këtë vit do të lëvizë nga 200 deri në 500 denarë. Muaji i Ramazanit sivjet shënon 30 ditë, duke filluar nga nesër 11 marsi e përfundon më 9 prill. Më 10 prill, festohet Festa e Fitër Bajramit.