Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në një intervistë për portalin Lajmpress, duke komentuar emërimin e Talat Xhaferit për kryeministër teknik, tha se përkundër ekzaltimit që është shfaqur në media se është bërë një arritje historike, e vërteta sipas tij, të cilën e di edhe vet Xhaferi, është se detyra e tij është vetëm teknike dhe ai do të duhet të menaxhoj me procesin e organizimit të zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare.
“Kështu që në kuptim formal dhe përmbajtjesor është një detyrë fare teknike dhe e parëndësishme, kurse ekzaltimi që ndodh është shpresojë në frymë të fushatës që organizon partia BDI në funksion të piarit të saj zgjedhor. Është e kuptueshme dhe e pritshme që ata të shfrytëzojnë këtë qastë duke e interpretuar si një fitore historike të madhe për shqiptarët dhe madje duke kërkuar asistencë edhe nga eksponentë të caktuar të Kosovës. Por realisht duhet që ta kenë të qartë edhe shqiptarët në Maqedoni por edhe shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë se detyra e Xhaferit është vetëmse teknike dhe nuk duhet të presim asgjë përmbajtjesore, asgjë që mund të ndryshojë pozitën apo statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut pos që i rritet rroga zotit Xhaferi dhe besoj se do të bëjnë ca defile me makinat zyrtare të kryeministrit dhe me gjithë eskortën e makinave që e shoqërojnë atë.