Lideri i Alternativës dhe njëkohësisht një nga figurat kyçe të koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai e cilëson si një “mashtrim të madh” në procesin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2021.
Përmes një statusi në Facebook, Ibrahimi ngre akuza të drejtpërdrejta ndaj realizuesve të këtij procesi, duke theksuar se mërgata shqiptare ishte qëllimisht e përjashtuar dhe e anashkaluar nga përfaqësimi statistikor.
“Tash, kur po zbulohet mashtrimi i madh që ka ndodhur me regjistrimin e vitit 2021, me ç’rast, me shumë tendencë, i ranë laps mërgatës sonë, si duhet t’i quajmë ata që e realizuan atë proces? A janë edhe ata shqiptarë apo vetëm prapashtesën -tarë e kanë në emrin e tyre?”, pyet ai me ironi dhe revoltë.
Në vazhdim, Ibrahimi kritikon hipokrizinë e atyre që sot flasin për “degradim”, ndërkohë që, sipas tij, kanë qenë vetë përgjegjës për një nga dëmet më të mëdha që i është bërë popullit shqiptar në dekada.
“Dhe, përsëri marrin guxim të flasin për degradim. Në 100 vjetët e ardhshme nuk mund të ketë degradim më të madh seç kanë mundur të bëjnë ata”, përfundon ai mesazh fort emocional dhe politik.
Ky reagim vjen në një moment kur brenda opinionit publik po shtohen dyshimet për manipulime të rënda në procesin e regjistrimit, veçanërisht sa i përket numrit të shqiptarëve jashtë vendit dhe përfaqësimit të tyre real në të dhënat zyrtare. VLEN ka paralajmëruar më herët se do ta çojë këtë çështje në instancat më të larta politike dhe ndërkombëtare.