Helmimi masiv në Gostivar nuk është precedent, një situatë e ngjashme tronditi qytetin edhe në vitin 2017

2 Min. Leximi

Kriza e helmimit masiv në Gostivar, ku numri i të prekurve ka kaluar 2.900 persona, nuk është rasti i parë që qyteti përballet me dyshime për ndotjen e ujit të pijshëm.

Edhe në vjeshtën e vitit 2017, rreth 500 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit me simptoma si të vjella, diarre dhe temperaturë të lartë. Në atë kohë, institucionet shëndetësore rekomanduan që uji i çezmës të mos përdorej për pije deri në përfundimin e analizave.

Ekipet e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik dhe inspektoratet konstatuan se nuk bëhej fjalë për helmim nga ushqimi, ndërsa dyshimet kryesore u përqendruan te cilësia e ujit të rrjetit.

Në vitin 2017, Komuna e Gostivarit drejtohej nga BDI, ndërsa Arben Taravari reagoi ashpër ndaj situatës.

“BDI për fat të keq, edhe më tej vazhdon t’i helmojë qytetarët e saj, kësaj radhe jo vetëm politikisht, por tani e ka prekur edhe shëndetin e tyre duke i helmuar me moskujdesin dhe mosveprimin e tyre me qindra qytetarë, prej të cilëve pjesa më e madhe fëmijë të vegjël”, deklaronte Taravari.

Ai po ashtu kundërshtonte pretendimet e autoriteteve të atëhershme se uji nuk ishte shkaktari i helmimit, duke theksuar se nuk ishin paraqitur prova për këtë dhe se ekspertët mjekësorë dyshonin për praninë e baktereve në ujin e pijshëm.

Pas dy mandatesh të Taravarit në krye të Gostivarit, qyteti po përballet me një krizë edhe më të madhe. Mbi 2.900 persona janë prekur, hetimet kanë zbuluar pompa të paligjshme që futnin ujë nga lumi Vardar në rrjetin e ujësjellësit, tre zyrtarë janë arrestuar dhe ndalimi i përdorimit të ujit të pijshëm mbetet ende në fuqi.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull