Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka fajësuar Qeverinë aktuale për gjendjen e krijuar së fundmi me energjinë elektrike.
Në konferencë për media pas pritjes që e organizoi AAK-ja në prag të ditës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haradinaj tha se ekzekutivi i udhëhequr nga Albin Kurti, të cilin e quajti argat të Serbisë, i ka ndalur investimet në energji.
Sipas tij, Kurti është fajtor për gjendjen në të cilën ndodhen shumë qytetarë, që sipas tij, po përjetojnë të ftohtë këtë fundvit shkaku i mungesës së energjisë elektrike.
Si shembull për mungesën e investimeve në energji ai e ka përmendur moskyçjen e Kosovës në gazsjellësin rajonal.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe Ali Ahmeti, kryetari i partisë opozitare shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ahmeti tha se ka pasur pritshëmri më të mëdha nga kryeministri Albin Kurti. Tha se nuk është pjesë e parafushatës, por që ardhja e tij në Kosovë ka për synim takimin me luftëtarët e UÇK-së.
Ahmeti deklaroi se kryeministri Kurti i ka kontribuuar në prishjen e raporteve me bashkësinë ndërkombëtare.
Tha po ashtu se ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, nuk është arratisur dhe se ndodhet diku në hapësirat shqiptare. Tha se Grubi do t’i dorëzohet drejtësisë atëherë kur t’i marrë garancitë se procesi ligjor që lidhet me të do të jetë i drejtë.
Përgjegjëse për mungesën e rrymës, Qeverinë e ka bërë edhe nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo ka thënë se nuk është krejtësisht i vërtetë arsyetimi se reduktimet e rrymës janë për shkak të ngarkesës.
Sipas saj, ekspertë e profesionistë të sektorit të energjisë kanë pohuar se reduktimet e rrymës po bëhen për të balancuar mungesën e prodhimit dhe të importit të energjisë elektrike për shkak të rritjes së kërkesës.