HARAÇINA ME MBI DY MILIONË EURO BORXHE TË AKUMULUARA DHE 21 PËRMBARUES AKTIVË, BEQIRI: BORXHET JANË TRASHËGUAR NDËR VITE

2 Min. Leximi

Komuna e Haraçinës po përballet me borxhe të akumuluara ndër vite që kapin shifrën 2 milion euro. Kështu tha numri një i komunës Daut Beqiri, në intervistën në Alsat duke nënvizuar se përveç borxheve, komuna po përballet edhe me 21 procedura aktive për përmbarim.

“Komunën e gjetëm në një situatë jo të mirë, kemi trashëguar shumë borxhe, ku personalisht unë jam i befasuar nga gjithë ai borxh, duke e ditur se sa kemi kapacitet ne si komunë rurale, borxhi i komunës është diku mbi 2 milion euro dhe kemi hasur në 21 përmbarues aktiv që janë… Ato janë borxhe të trashëguara jo vetëm nga udhëheqësia e mëparshme, por borxhe të trashëguara ndër vite. Më së tepërmi janë borxhe ndaj kompanisë EVN, ka borxhe ndaj kompanive private më herët që janë bërë disa realizime të projekteve dhe nuk i kanë paguar”, deklaroi Daut Beqiri, Kryetar i Komunës së Haraçinës.

Përveç barrës së borxheve, tjetër shqetësim serioz mbetet gjendja me të punësuarit në komunë. Beqiri thotë se komuna ekziston nga viti 1996, ndërsa gjatë kësaj kohe vetëm 3 punonjës janë me vendime pune.

“E dimë se punonjës në komunën e Haraçinës bashkë me ndërmarrjen janë mbi 40 dhe ajo më shqetësuesja ishte që vetëm 3 punonjës janë me vendime pune, duke e ditur se komuna e Haraçinës ekziston që nga viti 1996 ku shumica prej tyre ishin me kontrata në vepër. Mirëpo ka pasur edhe prej atyre që nuk kanë ardhur në punë, mirëpo ne kemi vendosur rregulla të reja dhe kemi vendosur një parim se nuk ka pagë pa punë”, theksoi Daut Beqiri, Kryetar i Komunës së Haraçinës.

Beqiri paralajmëroi një sërë projektesh të reja si stadiumin e Haraçinës dhe ambulantë të përgjithshme, ai nënvizoi se kjo komunë së shpeti pritet të ketë gjinekolog, pediatri dhe laboratori.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull