Hapen kutitë e votimit për zgjedhjet lokale të teta në Maqedoninë e Veriut

2 Min. Leximi

Në Maqedoninë e Veriut ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet lokale të tetat me radhë që nga pavarësia e vendit.

Qytetarët do të kenë mundësinë e shfrytëzimit të së drejtës së votës nga ora 07:00 deri në orën 19:00, në gjithsej 3.480 qendra votimi në mbarë vendin.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), 1.832.415 qytetarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur 80 kryetarë komunash dhe anëtarët e këshillave komunalë në gjithë vendin dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të Qytetit të Shkupit.

Në këtë proces, 309 kandidatë garojnë për postin e kryebashkiakëve, ndërsa për këshillat komunalë janë paraqitur 576 lista me gjithsej 10.490 kandidatë.

Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatë të pavarur.

Për monitorimin e këtyre zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka akredituar 697 vëzhgues vendorë dhe 639 vëzhgues të huaj.

Zgjedhjet e sotme do të pasohen nga raundi i dytë më 2 nëntor, në komunat ku asnjë kandidat nuk arrin shumicën e nevojshme në raundin e parë.

Gjatë fushatës 20-ditore, që nisi më 29 shtator dhe përfundoi në mesnatën e 17 tetorit, partitë politike dhe kandidatët e pavarur kanë zhvilluar tubime e takime me qytetarët, duke premtuar përmirësim të infrastrukturës, shërbimeve publike dhe zhvillimit ekonomik lokal.

Këto janë zgjedhjet lokale të teta në Maqedoninë e Veriut, pas atyre të viteve 1996, 2000, 2005, 2009, 2013, 2017 dhe 2021, dhe konsiderohen si një test i rëndësishëm për forcat politike në prag të zgjedhjeve parlamentare të ardhshme.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull