Gjykata Kushtetuese sot do të mbajë seancën e 32-të ku një ndër pikat e rendit të ditës është edhe iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, të ligjit në tërësi, si dhe veçmas 25 nenet e ligjit. BDI në prag të seancës ka filluar “roje për gjuhën” me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese ku thonë se qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u tha liderëve partiakë që të përmbahen nga komentet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për gjuhët, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski në një porosi për qytetarët tha që të mos bien pre e provokimeve të BDI-së, që siç tha ai, “sillen si brejtës politikë”.
Aktivistë të BDI-së më 8 dhjetor janë mbledhur para Kushtetueses që siç ka bërë të ditur zyrtari i partisë Arbër Ademi, do të qëndrojnë deri sot kur do të mbahet seanca për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ademi ka thënë se me iniciativën “Roja e gjuhës”, me prezencë 24 orëshe para Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”.