Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali deklaroi se bashkëpunimi që ekziston mes dy vendeve duhet të fuqizohet dhe përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen. Ai tha se dy vendet në rrafshin ndërkombëtar kanë qëllime dhe interesa të njëjta, si është anëtarësimi në Bashkimin Europian, bashkëpunimi edhe më i madh në fushën e mbrojtjes në kuadër të aleancës së NATO-si dhe zhvillimi i bashkëpunimit rajonal.
Ja dhe fjalimi i tij i plotw:
Sot pata një takim me Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zonjën Elisa Spiropali,
e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo paraqet një mundësi që së bashku me Kryetaren të përcjellim mesazhin se miqësia dhe bashkëpunimi që ekziston mes dy vendeve tona duhet të fuqizohet dhe përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen. Vendet tona në rrafshin ndërkombëtar kanë qëllime dhe interesa të njëjta, siç është anëtarësimi në Bashkimin Europian, bashkëpunimi edhe më i madh në fushën e mbrojtjes në kuadër të aleancës së NATO-si dhe zhvillimi i bashkëpunimit rajonal. Mendoj se kjo është e mundur, duke pasur parasysh se shoqëritë tona po zhvillohen edhe më shumë dhe ka më shumë vullnet politik dhe hapësirë për intensifikimin e bashkëpunimit. Në takimin tonë ne shprehëm pritshmërinë dhe shpresën se dy vendet tona do të vazhdojnë së bashku në rrugën e tyre drejt integrimit evropian. Ne besojmë se kjo është shumë e rëndësishme si për dy vendet tona, ashtu edhe për vendet e tjera të rajonit, sepse ne jemi njësoj të angazhuar për zhvillim të gjithanshëm të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu theksuam se zgjerimi është një nga politikat më të mira të Unionit – një domosdoshmëri gjeostrategjike, por dhe investim afatgjatë për të gjithë Europën në aspektin politik, të sigurisë dhe ekonomik. Ky është një mekanizëm i mirë për progres dhe shpërblim, i cili na motivon neve si vende për t’i zbatuar reformat e kërkuara, rezultati përfundimtar i të cilave duhet të jetë anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian. Gjithashtu ne konstatuam se në periudhën e ardhshme Ballkanin e presin edhe sfida të tjera, të cilat kërkojnë prej nesh më shumë bashkëpunimin, mbështetje dhe ndihmën më të madhe të ndërsjellë, në mënyrë që qytetarët tanë të jetojnë në prosperitet dhe mirëqenie. Ne i kemi vënë vetes sonë një synim të përbashkët, që është prioritete me interes të ndërsjellë – shfrytëzimi më efikas i fondeve të BE-së, pjesëmarrja e përbashkët në projekte të reja në kuadër të IPA-s, por mbi të gjitha është e nevojshme të punohet në thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes promovimit të potencialeve ekonomike dhe realizimin e projekteve infrastrukturore të rëndësishme për progresin dhe stabilitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe të gjithë rajonit të Ballkanit. Ndërtimi i rrugëve, lidhjeve energjetike dhe hekurudhore ndërmjet dy vendeve tona në kuadër të Korridorit VIII duhet të vazhdojë gjithashtu me synimin për një shkëmbim më të madh të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve për të cilat ka një potencial të madh. Me Kryetaren Spiropali diskutuam gjithashtu edhe për avancimin e bashkëpunimit parlamentar, nëpërmjet grupeve parlamentare të bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe punonjësve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në çështje që kanë të bëjnë me integrimin europian. Mundësitë për bashkëpunim janë të mëdha dhe ne, si politikanë të zgjedhur dhe të përgjegjshëm, duhet të angazhohemi dhe të kontribuojmë në përmirësimin e marrëdhënieve të përgjithshme midis vendeve tona, si edhe për mirëqenien e plotë në rajon.