Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në intervistë për Radio Evropën r Lirë tha se seanca e parë plenare do të caktohen në koordinim me të gjitha partitë politike. Gashi tha se ka pasur takim joformal me përfaqësues të partive, duke shtuar se pret që të zyrtarizohen grupet parlamentare dhe koordinatorët dhe sapo të kemi pëlqimin e shumicës së partive politike, do të thirret seanca e re, që me shumë gjasa në agjendë do t’i ketë krijimin e ministrive të reja dhe rikonstruimin e të vjetrave, gjë për të cilat nevojitet shumicë prej 2/3, respektivisht 80 vota.
“Si koalicion që tashmë është në horizont ndërmjet VMRO DPMNE-së, ZNAM-it dhe VLEN-it, është rënë dakord që Qeveria e re të fillojë me një organizim të ri të shtetit, organizim të resorëve ministrorë. Ne duam që fillimisht ta kalojmë atë ligj, në mënyrë që Qeveria e re të zgjidhet brenda atij ligji dhe një organizimi të ri. Prandaj, duam dhe do të bëjmë përpjekje që së bashku me të gjitha partitë politike në Kuvend të biem dakord që ky ligj të jetë ndër të parët që do të paraqitet në seancë plenare”, tha mes tjerash Gashi për REL.
Gashi nuk e përjashtoi mundësinë që në këtë pako të futen ndryshimet ligjore që të pamundësojnë zgjedhjet e parakohshme për kryetarë komunash në ato komuna ku kryetarët e tyre do të bëhen ministra apo deputetë.
“Po, dhe kjo është një nga çështjet e ndjeshme. Ne dëshirojmë ta zgjidhim atë, nëse gjejmë një zgjidhje ligjore që është brenda kornizës së Kushtetutës dhe ligjeve dhe në interes të qytetarëve, tani jemi përballë sfidës që të kemi drejtues komunalë që do të zgjidhen vetëm për 5-6 muaj, dhe pas 7-8 muajsh të ketë sërish zgjedhje. Unë mendoj se kjo nuk është e drejtë dhe mendoj se është kundër Kushtetutës të zgjedhësh dikë për një mandat 4-vjeçar, dhe të zgjedhësh dikë me të njëjtat vota, në të njëjtat zgjedhje, të zgjidhet për një mandat 8-mujor. Mendojmë se nuk është kushtetuese dhe duhet korrigjuar një ligj bazuar në Kushtetutën”, shtoi Gashi.