Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot në brifing theksoi se po kërkohen mundësi ligjore në konsultim me ekspertët dhe institucionet që të bëhen ndryshime ligjore dhe reforma në gjyqësor, që, siç tha, do të jetë cilësore.
“Së pari të konstatojmë se tema është më e ndërlikuar dhe duam që problemi të zgjidhet në afat të gjatë. Në konsultim me ekspertë dhe institucione të shumta, duam të arrijmë një zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme dhe do të jetë një zgjidhje afatgjatë. Nuk dua ta jap mendimin tim për momentin, por dua që të respektojmë të gjitha institucionet, të vijmë në një mendim të përbashkët dhe pastaj t’i qasemi problemit me një qëndrim të përbashkët”, tha ai.
Në pyetjen e gazetarëve nëse nevojiten ndryshime në Këshillin Gjyqësor, Gashi theksoi se tashmë është e qartë për të gjithë se nevojitet reforma të thella në gjyqësor.
“Mendoj se tashmë është e qartë. Është e qartë për të gjithë qytetarët se kemi nevojë për reforma të thella në gjyqësor. Duhet vetëm të kemi kujdes që ato të jenë përmbajtësore dhe reforma që na çojnë drejt së mirës, sepse disa herë jemi përpjekur me nxitim dhe nuk kemi sjellë zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata. Prandaj, këtë herë duam të kemi kujdes dhe qasja është ndryshe”, tha Gashi.