Kryeparlamentari Afrim Gashi mori pjesë në sesionin e parë të Anketës Debatuese Kombëtare, në kuadër të projektit “Nxitja e pjesëmarrjes publike në dialog konstruktiv politik”, i realizuar nga Instituti për Politikë Europiane (EPI).
Në këtë aktivitet, me temë përfshirjen e Kuvendit në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian, Gashi theksoi rëndësinë e rolit të institucionit ligjvënës në avancimin e reformave dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.
“Diskutuam mbi rolin e Kuvendit, funksionet kyçe, si dhe sfidat për të balancuar efikasitetin e reformave me nevojën për debat cilësor, transparencë dhe përfshirje të publikut,” deklaroi Gashi.
Ai shtoi se iniciativa synon të forcojë demokracinë pjesëmarrëse dhe dialogun publik në vend.
“Kjo nismë synon të forcojë debatin publik dhe të përfshijë qytetarët në mënyrë aktive në proceset vendimmarrëse, veçanërisht në kontekstin e reformave demokratike dhe integrimit europian,” u shpreh kryeparlamentari.

