Erik dhe Lyle Menendez ende kanë një rrugë të gjatë përpara para se të dalin nga burgu, edhe pse prokurori i qarkut të Los Angelesit ka rekomanduar që dënimet e tyre të përjetshme të hiqen dhe vëllezërve t’u shqiptohet dënim i ri që i kualifikon menjëherë për lirim me kusht.
Vëllezërit Menendez, të dënuar për vrasjen e prindërve të tyre në vitin 1989, duhet të presin që një gjykatës të shkojë pas rekomandimit të prokurorit George Gascon dhe më pas një bord i lirimit me kusht të aprovojë lirimin e tyre. Hapi i fundit është guvernatori Gavin Newsom, i cili mund ta refuzojë vendimin e bordit. Është një proces i paqartë që me gjasë do të zgjasë me muaj.
Ngjarja mori publicitet pas një filmi dhe një dokumentari që bëri bujë me deklarata të të dy vëllezërve lidhur me motivin e vrasjes së prindërve për të cilët pohonin se me vite i kanë dhunuar seksualisht dhe psiqikisht. Filmi “Monsters” ka fituar aq shumë popullaritet duke nxitur kështu debat në mesin e miliona njerëzve që kërkojnë lirimin e tyre ose mundësinë për rigjykim.
Lyle Menendez, atëkohë 21 vjeç, dhe Erik Menendez, 18 vjeç, patën pranuar se kishin qëlluar për vdekje babanë dhe nënën. Ata patën thënë se kishin frikë se prindërit do t’i vrisnin djemtë ashtu që t’i ndalonin që njerëzit të merrnin vesh se babai, Jose Menendez, e kishte abuzuar seksualisht Erikun për vite të tëra, raportoi AP.
Prokurorët në atë kohë kundërshtuan duke thënë se nuk kishte prova për abuzimin seksual. Gjyqi i parë i tyre përfundoi pa rezultat, dhe prokurorët siguruan dënimin në gjyqin e dytë pasi provat për abuzim seksual u përjashtuan nga gjyqi për vrasje. Zyra e Prokurorit atëkohë pati thënë se vëllezërit ishin pas pasurisë multimilionëshe të prindërve.
Tani, Prokurori dhe familjarët e tyre thonë se bota e kupton më mirë rolin e traumës në rastet e abuzimit seksual.
Zyra e Prokurorit të enjten ka dorëzuar dokumentet që rekomandojnë që vëllezërit të marrin një dënim të ri prej 50 vjetësh. Për shkak se në atë kohë ata ishin nën 26 vjeç, kjo do të thotë se mund të lirohen me kusht menjëherë.