Florida planifikon t’i heqë të gjitha detyrimet për vaksinim në fëmijëri

4 Min. Leximi

Florida planifikon të bëhet shteti i parë në SHBA që eliminon detyrimet për vaksinim, që kanë qenë themeli i politikës së shëndetit publik për dekada të tëra në mbajtjen e fëmijëve dhe të rriturve të sigurt nga sëmundjet infektive, raporton agjencia “AP”.

Kirurgu i përgjithshëm i shtetit, Dr. Joseph Ladapo, njoftoi për vendimin të mërkurën dhe i quajti kërkesat aktuale në shkolla dhe vende tjera si “ndërhyrje e pamoralshme” në të drejtat e njerëzve, që pengojnë aftësinë e prindërve për të marrë vendime shëndetësore për fëmijët e tyre.

- Advertisement -

“Njerëzit kanë të drejtë të marrin vendimet e tyre, vendime të informuara”, tha Ladapo në një konferencë për media. “Ata nuk kanë të drejtë t’ju tregojnë se çfarë të vendosni në trupin tuaj. Hiqjani këtë të drejtë atyre”.

- Advertisement -

Grupet e mjekëve dhe organizatat tjera shëndetësore i kanë konsideruar prej kohësh vaksinat e sigurta dhe mënyrën më efikase për ta ndaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse, veçanërisht mes fëmijëve në shkolla.

Doktoresha Rana Alissa nga “Florida Chapter of the American Academy of Pediatrics”, tha se heqja e vaksinës i vë nxënësit dhe stafin e shkollave në rrezik të madh.

“Kur të gjithë në një shkollë vaksinohen, është më e vështirë për sëmundjet që të përhapen dhe më e lehtë për të gjithë që të vazhdojnë të mësojnë dhe argëtohen. Kur fëmijët sëmuren dhe mungojnë në shkollë, edhe prindërit e tyre mungojnë në punë, gjë që jo vetëm që ndikon në ato familje, por edhe në ekonominë lokale”, tha Alissa.

Përfaqësuesja demokrate e shtetit Anna Eskamani, që po kandidon për kryebashkiake të Orlandos, në një postim në rrjete sociale tha se heqja e vaksinave “është e pamatur dhe e rrezikshme” dhe mund të shkaktojë shpërthim sëmundjesh të parandalueshme. Ka thënë se është katastrofë për shëndetin publik.

Ky veprim nga Florida vjen pasi administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po punon për t’i ristrukturuar Qendrat e SHBA-së për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve dhe për t’i riformësuar politikat e vaksinimit në vend.

Guvernatorët demokratë të Washingtonit, Oregonit dhe Kalifornisë njoftuan të mërkurën se kanë krijuar një aleancë për t’i mbrojtur politikat shëndetësore, duke pretenduar se administrata Trump po politizon vendimet që kanë të bëjnë me shëndetin publik.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar se vaksinat kanë shpëtuar të paktën 154 milionë jetë në nivel global gjatë 50 vjetëve të fundit, shumica prej tyre foshnja dhe fëmijë.

“Vaksinat janë ndër shpikjet më të fuqishme në histori, duke i bërë të parandalueshme sëmundjet që dikur ishin të frikshme”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Në Florida, deri më tash fëmijët në çerdhe dhe në shkolla publike duhej të kishin vaksinën për fruthin, linë, hepatitin B, difterinë, tetanusin, poliomielitin dhe sëmundje tjera.

Ladapo tha se Departamenti i Shëndetësisë i Floridas mund të heqë rregullat e veta për disa detyrime vaksinimi, por për disa duhet veprime nga Legjislatura e Floridas.

Ai përsëriti disa herë se përpjekja është që të hiqen të gjitha.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull