Futbollisti i njohur nga Shkupi, Florent Osmani, është shpallur futbollisti më i mirë i turneut të organizuar nga Shoqata e Mërgimtarëve të Kërçovës në Zvicër, një ngjarje sportive që mblodhi 16 ekipe nga të gjitha fshatrat e Kërçovës.
Osmani ishte një nga lojtarët më të dalluar të turneut, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në suksesin e FC Leshnicës, e cila në finale mposhti Shoqatën e Drogomishtit të Vogël me rezultat të thellë 6:0 dhe u shpall kampione e turneut.
Me paraqitjet e tij cilësore gjatë gjithë garës, Florent Osmani fitoi vlerësimin më të lartë individual, duke u zgjedhur futbollisti më i mirë i turneut ku morën pjesë futbollistë të njohur nga Maqedonia e Veriut dhe rajoni.
Pas triumfit, Osmani falënderoi FC Leshnicën për besimin e dhënë dhe mundësinë për të qenë pjesë e ekipit fitues.
“Faleminderit FC Leshnica për ftesën, ka qenë kënaqësi të luaj për ju dhe në fund të dal fitues i turnirit në Zvicër”, ka shkruar ai.
Turneu i Shoqatës së Mërgimtarëve të Kërçovës me traditë 20 vjeçare edhe këtë vit dëshmoi rëndësinë që ka sporti në bashkimin e mërgatës shqiptare, ndërsa Florent Osmani ishte një nga emrat që la gjurmën më të madhe në këtë aktivitet.

