Për sot, 47 familje në Dibër kanë siguruar një shtëpi të re. Në qytet u mbajt ceremonia e dorëzimit të çelësave të banesave sociale për përfituesit që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara me ligj.
Në ceremoni morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, Drejtori i Përgjithshëm i Ndërmarrjes për Ndërtim dhe Menaxhim me Hapësirat Banesore, Marjan Stefanovski, si dhe kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela.

Në fjalën e tij, Mela theksoi se ndarja e banesave sociale përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në nevojë. Ai falënderoi institucionet qeveritare për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Dibrës, duke nënvizuar se investimet po japin rezultate konkrete për qytetarët.
Kryetari i Dibrës veçoi edhe projektet infrastrukturore që po realizohen në komunë, mes tyre ndërtimin e bulevardit të ri pranë objektit të banesave sociale, investim që financohet në kuadër të projekteve nga kredia hungareze, me një vlerë prej rreth 2 milionë eurosh për Komunën e Dibrës.
Banesat sociale u ndanë për qytetarët që kanë përmbushur kushtet e thirrjes publike, përfshirë persona pa zgjidhje strehimi, fëmijë pa përkujdesje prindërore pas moshës 18-vjeçare, përfitues të ndihmës minimale të garantuar dhe persona të prekur nga fatkeqësi natyrore.
Në përfundim, Komuna e Dibrës uroi të gjithë përfituesit, duke u dëshiruar shëndet, mbarësi dhe lumturi në shtëpitë e tyre të reja.

