Fazliu: “One Stop Shop” shkurton pritjet në kufi, mirëseardhje mërgimtarëve

2 Min. Leximi

Drejtori i Drejtorisë për Librat Amë, Faton Fazliu, ka përshëndetur funksionalizimin e sistemit “One Stop Shop” në pikat kufitare, duke vlerësuar se ky është një hap konkret që do t’ua lehtësojë procedurat e hyrjes në vend mërgimtarëve gjatë sezonit veror.

Fazliu theksoi se sistemi i ri do të shkurtojë kohën e pritjes në kufi dhe do ta bëjë më të shpejtë e më të lehtë ardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje.

“Me funksionalizimin e sistemit ‘One Stop Shop’ në pikat kufitare, po urojmë mirëseardhje mërgimtarëve tanë me një hap konkret që ua lehtëson kalimin kufitar, shkurton pritjet dhe e bën ardhjen në atdhe më të shpejtë e më të lehtë”, deklaroi Fazliu.

Ai nënvizoi se mërgimtarët përfaqësojnë një vlerë të rëndësishme për vendin dhe se institucionet kanë obligim t’i presin me respekt dhe t’u ofrojnë shërbime cilësore.

“Mërgimtarët janë një pasuri e çmuar për vendin tonë. Kontributi i tyre për familjet, ekonominë dhe zhvillimin e shtetit është i jashtëzakonshëm, ndaj është detyrë e institucioneve t’i presin me respekt dhe t’u ofrojnë shërbime dinjitoze”, u shpreh ai.

Sipas Fazliut, reformat që e afrojnë administratën me qytetarët janë pjesë e ndërtimit të një administrate moderne dhe efikase.

“Ne besojmë se shteti ndërtohet me vepra. Çdo reformë që e afron administratën me qytetarin është një hap drejt një shteti modern, efikas dhe evropian”, tha drejtori i Librave Amë.

Në fund të mesazhit të tij, Fazliu u uroi mirëseardhje mërgimtarëve dhe një qëndrim të këndshëm pranë familjeve të tyre.

“Mirë se vini në shtëpinë tuaj! Ju uroj një verë të mbarë dhe momente të bukura pranë më të dashurve tuaj”, përfundoi ai.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull