Ndërmarrja Publike “Rrugë Shtetërore” ka hapur thirrjen publike për përgatitjen e një analize tekniko-ekonomike për zgjidhje të mundshme për fazën e dytë të autostradës Shkup-Bllacë. Me analizë duhet të bëhet vlerësimi i mjeteve financiare për ndërtim por edhe të përgatiten verzione të ndryshme në nivel të autostradës dhe rrugës eksprese. Sipas thirrjes publike, shpejtësia e lëvizjes do të lëvizë nga 80 deri në 100km në orë. Gjerësia e rrugës është paraparë të jetë 14 metra që do të thotë 4 korsi nga 3.5 metra. Duke promovuar thirrjen publike, nga VLEN thonë kjo është një hap konkret që vulos vullnetin për të kthyer në realitet, atë që për dekada ka mbetur vetëm premtim.
“Pas zhvatjes së pafundme dhe ngecjes së qëllimshme nga qeverisjet e kaluara, më në fund po i japim fund manipulimeve me këtë projekt. Në vend të fasadës e propagandës, sot kemi veprim, vendosmëri dhe rezultate. Vetëm një vit pas hyrjes në Qeveri, VLEN po prodhon zgjidhje dhe jo alibi, zhvillim dhe jo show politik. Ky është vetëm fillimi i një epoke të re për infrastrukturën shqiptare, epoka e llogaridhënies dhe punës konkrete”, thonë nga VLEN.
Por nga BDI-ja opozitare, këtë e konsiderojnë si sabotim sistematik të projektit që e kishte përgatitur qeveria e kaluar. Sipas integristëve, qeveria qëllimisht nuk i lëshon në përdorim dy kilometrat e para.
“Ky është një skenar i njohur politik për të zvarritur dhe bllokuar qëllimisht projektet që janë iniciuar nga BDI dhe që lidhen drejtpërdrejt me interesin strategjik të vendit. Qëllimi është i qartë dhe i lexueshëm: çdo investim madhor që është planifikuar dhe nisur nga BDI duhet të ndalet, të zhbëhet, të harrohet”, thonë nga BDI.
Javë më parë në një intervistë për Alsat, drejtori i ndërmarrjes “Rrugë Shtetërore”, Koce Trajanovski, njoftoi se autostrada do të ndërtohet sipas projektit fillestar por se do të ketë modifikime, me qëllim që të bëhet sa më tepër punë me të hollat që janë paraparë. Vlerësimi i deritanishëm është se projekti mund të kushtojë deri në 240 milion euro për 10kilometra autostradë. Kohë më parë ministri i transportit Aleksandar Nikollovski, në Kuvend publikoi dokumente për ndryshime të trasesë por edhe për shit-blerje të disa pronave përmes të cilave duhet të kalojë traseja e autostradës. Si blerës figuronin edhe disa kompani, për të cilat Nikollovski akuzonte se janë të afërta me BDI-në, për çka Nikollovski e ka njoftuar edhe Prokurorinë. Deri tani janë realizuar vetëm dy kilometra nga kufiri i Bllacës drejt Shkupit, por të njëjtat përfundojnë në greminë. Nga aty autostrada duhet të kalojë përmes një kodrine, ku duhet të hapet edhe tunel. Përpos atij tuneli, deri në përfundim të 10 kilometërshit, të parashikuara janë edhe pesë tunele të tjera./Alsat.mk