Fakulteti Juridik i UEJL-së në mesin e tre skuadrave më të mira në “University Law Competition 2026”

3 Min. Leximi

Fakulteti Juridik i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) ka shënuar një sukses të rëndësishëm akademik duke fituar vendin e tretë në garat mbarëkombëtare të gjykimit të simuluar “University Law Competition 2026”, një kompeticion prestigjioz juridik i organizuar nga “Halimi Foundation Institute⁠”, me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Tiranë dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

Ky edicion i katërt i garës u konceptua si një gjyq simulues televiziv që bashkoi studentët më të dalluar të drejtësisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke krijuar një platformë rajonale për promovimin e ekselencës juridike, mendimit kritik dhe sundimit të ligjit.

Skuadra e Fakultetit Juridik të UEJL-së, e përbërë nga studentet Flutura Xhemaili, Amina Ademi dhe Remzije Abazi, nën udhëheqjen dhe mentorimin e Prof. Dr. Vedije Ratkocerit, arriti të renditet ndër tre skuadrat më të mira në këtë kompeticion prestigjioz, i cili u mbajt më 16 dhe 17 maj në Tiranë.

Në këtë edicion morën pjesë 16 skuadra nga fakultetet juridike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas një përgatitjeje intensive disajavore dhe zhvillimit të tri raundeve të ballafaqimit verbal, skuadra e UEJL-së u dallua për nivelin e lartë të argumentimit juridik, cilësinë e shkresave procedurale, prezantimin profesional dhe bashkëpunimin ekipor.

Sot, në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve në Tiranë, skuadra e Fakultetit Juridik të UEJL-së pranoi shpërblimin për vendin e tretë. Si pjesë e çmimit të fituar, studentet do të realizojnë një vizitë studimore në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, një përvojë e rëndësishme akademike dhe profesionale që do t’u mundësojë njohje më të afërt me praktikën dhe jurisprudencën evropiane në fushën e të drejtave të njeriut.

Vlen të theksohet se kjo është hera e tretë radhazi që studentët e Fakultetit Juridik të UEJL-së marrin pjesë në këtë garë prestigjioze, ndërsa në vitin 2024 skuadra e UEJL-së ishte fituese e vendit të parë.

Ky sukses dëshmon përkushtimin e Fakultetit Juridik të UEJL-së në përgatitjen akademike dhe praktike të studentëve, duke krijuar kushte dhe mundësi për zhvillimin e aftësive profesionale, mendimit kritik dhe kompetencave juridike në nivel konkurrues ndërkombëtar.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull