Ne, si ESNAF, dëshirojmë të theksojmë se kjo strehë, e cila buron si nismë nga ESNAF-i dhe vetë qytetarët, nuk ka asnjë ngjyrë politike, por është thjesht një vepër që zbukuron atë pjesë të degraduar ndërmjet BitPazarit dhe Çarshisë.
Në këtë periudhë kur Çarshisë po i rikthehet imazhi i bukurisë – ku me mjete tona vetanake dhe me mbështetjen e Komunës po i japim gjallëri kësaj pjese të lënë pas dore nga Ministria e Kulturës dhe, konkretisht, Qendra Konservatorike – shihet qartë se ka individë ose institucione që, me veprimet e tyre, dëshmojnë se nuk ia duan të mirën as qytetarëve e as vetë Çarshisë së Vjetër.
Ndaj atyre që reagojnë me mllef, qofshin portale apo institucione, kundrejt veprave të mira, dëshirojmë të përcjellim mesazhin se nëse nuk janë në gjendje të na ndihmojnë, të paktën të mos na pengojnë.
Kjo strehë është një shembull i bashkëpunimit midis komunitetit të biznesit (ESNAF-it), qytetarëve dhe pushtetit lokal, i cili synon ta ruajë dhe ta pasurojë trashëgiminë kulturore të Çarshisë. Me anë të këtij projekti, ne tregojmë vullnetin tonë për të sjellë freski dhe gjallëri në një zonë që për vite me radhë është lënë pas dore, duke krijuar kështu një pikëkalim më të rregullt, më të bukur dhe më mikpritës për vizitorët dhe banorët e kësaj treve.
Në fund, i ftojmë të gjithë që, në vend se të kundërshtojnë përpjekjet tona, të bëhen pjesë e këtij ndryshimi pozitiv. Vetëm së bashku mund ta ruajmë vlerën e Çarshisë dhe ta pasurojmë jetën kulturore e shoqërore të qytetit tonë.
Esnafi i Çarshisë me reagim rreth Portës ndërmjet Bit Pazarit dhe Çarshisë së Vjetër
