Përmes një interviste fiktive me ministrin e Ekonomisë dhe Punës, në të cilën shpërdorohet logoja e Kanal 5, qytetarët po joshen për të investuar në një platformë fiktive për të fituar para, pra për tregtimin e kriptovalutave. Qytetarët po mashtrohen të investojnë 15 mijë denarë me premtimin e rremë se do të fitojnë 200 mijë denarë, transmeton Vërtetmatësi.
Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook, ku pretendohet se qytetarët do të përfitojnë të ardhura nga taksat. Përmes një interviste të sajuar me ministrin e Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, qytetarët po joshen për të investuar në një platformë fitimesh fiktive.
Në njoftim thuhet:
Të lindurit midis 1951 dhe 1992 mund ta marrin këtë përfitim!
Po ndahet edhe një lidhje me një intervistë fiktive me ministrin e Ekonomisë dhe Punës, Durmishi, ku keqpërdoret logoja e shtëpisë mediatike Televizioni Kanal 5. Titulli i tekstit thotë:
Tani banorët e Maqedonisë do të fillojnë të marrin të hyra nga taksat: Besar Durmishi foli për sistemin e ri të rimbursimit të taksave
Ky është dezinformim. Qytetarët nuk marrin të ardhura nga taksat, por përkundrazi mashtrohen për të investuar në një platformë fiktive tregtare të kriptomonedhave. Kjo është një intervistë fiktive me ministrin e Ekonomisë dhe Punës, Durmishi, dhe personazhi, emri dhe mbiemri i gazetarit janë gjithashtu të trilluar. Kjo përmbajtje nuk gjendet në faqen zyrtare të televizionit Kanal 5.
Po shpërndahet dezinformata se qytetarët mund të fitojnë para nga taksat, që është absurditet total.
Në një pjesë të intervistës plot marrëzi, thuhet:
Besar Durmishi: Falë Nearest Edge, sistemi tashmë ka filluar të funksionojë! 4000 llogari sociale janë rezervuar për qytetarët tanë. Çdo qytetar mbi 18 vjeç mund të regjistrohet dhe të gjenerojë të ardhura pasive përmes “Nearest Edge”.
Dhe kur klikoni në sistemin e pretenduar Nearest Edge, do t’ju kërkohet emri, mbiemri, emaili dhe numri i telefonit për tregtimin e kriptomonedhave. Dhe këtu është në të vërtetë mashtrimi. Qytetarët po joshen të investojnë 15 mijë denarë në platformë, me mashtrimin se do të fitojnë deri në 200 mijë denarë në muaj.
Për të bërë më shumë gjasa që sa më shumë qytetarë të mashtrohen nga sistemi i pretenduar i të ardhurave, nën intervistën e rreme ka komente nga njerëz që gjoja fitojnë para përmes platformës.
Në fund të fundit, është një platformë e ngjashme me Conti, ku disa muaj më parë u mashtruan 14 mijë qytetarë në vend.
Njësia e Inteligjencës Financiare më pas apeloi qytetarët që të kenë kujdes:
Në një periudhë të rritjes së aktiviteteve reklamuese në rrjetet sociale që lidhen me të ashtuquajturat “platforma për të fituar para të shpejta online”, Njësia e Inteligjencës Financiare paralajmëron qytetarët që të jenë të kujdesshëm me fondet e tyre dhe të njohin me kohë platformat e investimeve mashtruese fiktive, pra të mos investojnë në platforma dhe aplikacione të tilla.
Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm që të mos bien pas platformave të tilla mashtruese të fitimeve fiktive.
Për shkak të gjithë kësaj, ne e vlerësojmë publikimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë.