Duke folur për çështjet kyçe rajonale, përfshirë situatën në Siri, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka uruar që marshimi i forcave kundër regjimit drejt Damaskut të vazhdojë pa aksidente, raporton Anadolu.
“Idlibi, Hama, Homsi dhe natyrisht, objektivi është Damasku. Marshimi i opozitës vazhdon. Dëshira jonë është që ky marshim në Siri të vazhdojë pa aksidente apo fatkeqësi”, u tha presidenti Erdoğan gazetarëve pas namazit të xhumasë në Istanbul.
Presidenti Erdoğan gjithashtu shprehu zhgënjim për udhëheqjen e Sirisë. “Ne i bëmë thirrje (Bashar al) Assadit. Ne i thamë ‘ejani të përcaktojmë së bashku të ardhmen e Sirisë’. Fatkeqësisht, nuk morëm përgjigje pozitive për këtë”, tha ai.
Përsa i përket Libanit, presidenti turk theksoi rrethanat e vështira të vendit.
“Libani është në një situatë shumë të vështirë. Gjithçka është në rrënoja. Ka kërkesa për ndihmë. Në një kohë kur bota po hesht, ne do të vazhdojmë me ndihmën tonë”, theksoi ai.
Erdoğan apeloi për unitet në Liban si dhe riafirmoi angazhimin e Ankarasë për mbështetjen e kombit libanez të goditur nga kriza.