Hoxha i njohur nga Kosova, Enis Rama parakalimin e ushtarëve të FSK-së dhe forcave të PK-së për hirë të 25 vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, e ka cilësuar si kurorë nderi mbi kokën tonë, shkruan 3shi.net.
Poashtu sipas tij e gjithë kjo sakrificë mund të jetësohet me besimin e fuqishëm në Zotin, me një institucion kompakt familjar dhe shoqëri të vetëdijesuar.
“Parakalimi i ushtarëve të FSK-së dhe forcave të PK-së sot, në ditën e çlirimit, është një kurorë nderi mbi kokën tonë. Rrugëtimi deri këtu nuk ka qenë aspak i lehtë. Nuk do të jetë i lehtë as vazhdimi për një ardhme më të mirë. Shikuar nga këndvështrimi i marrjes së mësimeve nga e kaluara për të ardhmen, mendoj se ato që na duhen më së shumti mund të përmblidhen si në pikat vijuese:
– Gatishmëri për sakrificë duke e vendosur interesin kolektiv para atij personal
– Bashkëpunim mbarëkombëtar duke respektuar çdo kapacitet dhe duke e luftuar çdo orvatje për përçarje keqdashëse
– Mirënjohje për çdo kontribut shoqëror dhe përmbajtje nga pretendimi për përvetësimin e arritjeve kolektive duke i kthyer ato në sukses individual ose të ndonjë grupimi të caktuar
Të gjitha këto mund të jetësohen me besimin e fuqishëm në Zotin, me një institucion kompakt familjar dhe shoqëri të vetëdijesuar”, ka shkruar hoxhë Enis Rama.