Dy javë ka ulje të numri të të sëmurëve nga gripi, por ende është shumë herët të thuhet se piku është tejkaluar

2 Min. Leximi

Dy javë ka ulje të numrit të të sëmurëve nga gripi, por ende është shumë herët të themi se e kemi tejkaluar pikun, pasi sezonin e kaluar kemi pasur dy të tilla. Ndoshta ky është i pari, ndoshta edhe i fundit, por nuk do të thotë se nuk do të ketë pik të ri dhe rritje të re të numrit të të sëmurëve. Këtë sezon janë regjistruar tre raste të vdekjes, deklaroi sot drejtoresha e Institutit për shëndet publik (ISHP), Marija Andonova.

Ajo potencoi se gjatë javës së katërt këtë sezon vazhdon trendi i uljes së numrit të të sëmurëve dhe të sëmundjeve të ngjashme me gripin. Sipas të dhënave, në këtë moment në Maqedoninë e Veriut ka intensitet të mesëm të aktivitetit të virusit.

“Gjatë javës së katërt të vitit në periudhë prej 19 janarit e deri më 25 janar në vend janë paraqitur 1.708 raste të të sëmurëve nga gripi/sëmundje të ngjashme me gripin, që është për 17,2 për qind më pak se në krahasim me javën paraprake, kur numri ishte 2.062. Numri i personave të paraqitur këtë javë, krahasuar me javën e katërt të sezonit të kaluar, është ulur për 9,1 për qind, ndërsa krahasuar me javën e njëjtë për 15 sezonet e kaluara është ulur për 33,4 për qind”, tha dr. Andonova.

Lidhur me moshën, sqaroi, 1.029 persona janë të moshës prej 15 deri 64 vjeçarë, 253 janë të moshës mbi 65 vjeçarë, 243 janë fëmijë të moshës prej pesë deri 14 vjeçarë, 183 fëmijë janë të moshës deri katërvjeçarë, ndërsa incidenca më e lartë regjistrohet tek fëmijët e moshës deri katërvjeçarë.

Ajo theksoi se edhe më tej vazhdojnë të vlejnë rekomandimet e ISHP-së mbrojtjen e njerëzve, e ato janë të shmangen tubime në hapësira ku ka më shumë persona ose nëse nevojitet të jenë në hapësira të tilla, të mbajnë maska.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull