Para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, u pozicionua hapur kundër qeverisë së Albin Kurtit, duke dhënë mbështetje për partitë opozitare. Ahmeti u rreshtua krah ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, duke promovuar koalicionin AAK-NISMA si alternativën e duhur për qeverisjen e Kosovës. Megjithatë, kjo lëvizje pësoi fiasko, pasi ky koalicion nuk arriti të sigurojë më shumë se 7 deputetë, sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërsa nga ana tjetër VV e Albin Kurtit sipas gjitha gjasave ka siguruar 50 e më tepër deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Mbështetja e hapur e Ahmetit ndaj opozitës kosovare rezultoi e pafrytshme dhe tërësisht e kundërproduktive. Pavarësisht ndikimit që BDI pretendon se ka mes shqiptarëve në rajon, Ahmeti nuk arriti të ndikojë në elektoratin kosovar.
Për më tepër, Ali Ahmeti asnjëherë nuk ka realizuar një takim me kryeministrin aktual të Kosovës dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në Kosovë. Përkundrazi, ai ka zgjedhur ta kritikojë publikisht Kurtin, duke mbetur jashtë cdo lloj bashkëpunimi me qeverisjen aktuale të Prishtinës. Kjo sjellje kontraston dukshëm me afrimin e Vetëvendosjes me koalicionin VLEN, të cilin Albin Kurti e ka mbështetur hapur dhe që sot është pjesë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Dështimi i Ahmetit për të ndikuar në zgjedhjet e Kosovës jo vetëm që e ka lënë atë pa aleatë seriozë në skenën politike kosovare, por gjithashtu ka thelluar hendekun mes tij dhe qeverisë aktuale të Prishtinës. Ndërkohë, Vetëvendosje dhe VLEN po forcojnë bashkëpunimin e tyre, duke krijuar një bosht të ri politik mes dy vendeve, në të cilin Ali Ahmeti dhe BDI duken gjithnjë e më të izoluar.