Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka njoftuar se shtatë punonjës shqiptarë janë rikthyer në vendet e tyre të punës në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndëretnike, pas një vendimi të Agjencisë për Administratë.
Sipas Saliut, ky vendim dëshmon se padrejtësitë institucionale mund të korrigjohen kur ka përgjegjësi dhe veprim konkret nga institucionet përkatëse.
“Vendimi i Agjencisë për Administratë dëshmon se padrejtësitë mund të korrigjohen kur institucionet veprojnë me përgjegjësi”, ka theksuar ajo.
Deputetja e VLEN-it ka vlerësuar veçanërisht rolin e zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Administratë, Muhamed Krasniqi, duke e cilësuar angazhimin e tij si vendimtar në këtë proces.
“Në këtë proces duhet të përshëndetet angazhimi i drejtpërdrejtë i zëvendësdrejtorit të Agjencisë për Administratë, Muhamed Krasniqi, i cili ka qenë kyç për rikthimin e tyre në vendet e punës dhe për vendosjen e drejtësisë”, ka deklaruar Saliu.
Ajo ka shtuar se gabimet në proceset e punës mund të ndodhin, por theksoi se VLEN do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe parimeve të barazisë.
“Gjatë proceseve të punës gabimet mund të ndodhin, por VLEN mbetet aty për mbrojtjen e të drejtave dhe parimeve të barazisë”, ka përfunduar deputetja.

