Gazetar: Avni Tahiri – ALSAT
Çmimi për të kryer obligimin fetar të Haxhit për një person, këtë vit ka arritur në 6.700 euro, që është rreth 250 euro më shtrenjtë nëse e krahasojmë me vitin e kaluar.
Por edhe përkundër rritjes së çmimeve për haxh, 2020 besimtarë nga vendi ynë, këtë vit vizitojnë vendin e shenjtë dhe sipas Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, është numër identik me vitin e kaluar.
Përveç rritjes së çmimeve për Haxh, çdo vit e më shumë kemi rritje edhe të çmimit të kurbanit por edhe të produkteve tjera ushqimore para festës së Kurban Bajramit. Lidhur me këtë, ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi paralajmëroi kontrolle të shtuara ndaj tregtarëve në prag të festës, duke theksuar se institucionet do të reagojnë ndaj çdo rritjeje të pajustifikuar të çmimeve dhe marzhave të fitimit.
“Jemi në prag të festave dhe e dimë se cilat produkte harxhohen gjatë festës së Kurban Bajramit, do të bëhen kontrolle dhe ato kontrolle do të shpërndahen edhe për opinionin. Nëse do të ketë rritje të marzhës së fitimit pa mos u bazuar në parametrat ekonomik të shpenzimeve apo do të ketë rritje në 15 apo 20 % e them me plot përgjegjësi se do të veprojmë edhe në kohen e ardhshme.” tha Besar Durmishi, Ministri i Ekonomisë.
Vitin e kaluar, çmimi për një kurban varësisht nga pesha dhe lloji i bagëtisë fillonte nga 300 euro ndërsa Festa e Kurban Bajramit këtë vit është më 27 maj./Alsat.mk.

