Banka Popullore me kritika ndaj autoriteteve për mos rregullim të tregut të produkteve ushqimore.
Në botë efektet e pandemisë dhe luftës në Lindje të Mesme janë minimizuar, kurse te ne vazhdojnë të mbeten rreth 48% më të larta çmimet të produkteve të njëjta se sa para pandemisë, shkruan Alsat.
Qytetarët kjo gjendje i varfëron.
Sipas Organizatës së ushqimit dhe agrikulturës FAO nga mesi vitit 2022 indeksi i çmimeve të produkteve ushqimore është ulur në vazhdimësi në nivel botëror.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Popullore, në nivel botëror akoma janë më të larta çmimet për 18% në krahasim me para pandemisë.
“Te ne rritja e çmimeve të produkteve ushqimore filloi më vonë nga shtrenjtimet e ushqimoreve në botë, por ne akoma edhe sot nuk shikojmë një ulje të theksuar të çmimeve në vendin tonë. Nëse e krahasojmë nivelin e çmimeve tona aktuale me periudhën para pandemisë, janë pothuajse dyfish më të larta se sa niveli i çmimeve të produkteve të njëjta ushqimore në botë”, tha Anita Angellovska-Bezhoska, Guvernatore e Bankës Popullore.
Në parashikimet e fundit të makroekonomisë, Banka Popullore pret rritje ekonomike prej 2.6% këtë vit dhe 3.6% vitin e ardhshëm.
Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska tha se inflacioni mesatar i tremujorit të parë të këtij viti ishte 3.4%, për të gjithë vitin 2024 parashihet të jetë 3.5%, që është një rënie e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar kur ishte 9.4%.
Por, pritshmëritë e rritjes së BPV-së janë ulur si pasojë rritjes më të dobët të vitit të kaluar, veçanërisht në investime, të cilat shënuan rënie prej 16.7%. Ndikim pati edhe rënia në nivel global të partnerëve tanë kryesorë tregtarë.
“Çmimet në bursa do të ulen edhe këtë vit dhe stabilizimi tyre vitin e ardhshëm. Me uljen e inflacionit do të ketë ulje edhe të kushteve të huamarrjes nga bankat qendrore dhe në lehtësim të kushteve financiare globale. Investimet publike infrastrukturore do të përshpejtohen në pjesën e dytët ë vitit. Të hyrat solide të investitorëve të huaj do të krijojnë efekt pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe rritje të pagave në sektorin privat të tregut të punës”, u shpreh Anita Angellovska-Bezhoska, Guvernatore e Bankës Popullore.
Paralajmërimi i mandatarit të ardhshëm Hristijan Mickoski për huamarrjen prej 1 miliard euro nuk këshillohet të bëhet nga një shtet tjetër, sipas Bankës Popullore.
Guvernatorja i dërgoi mesazh kreut të VMRO-së se kreditë publike duhet të merren nga institucionet financiare ndërkombëtare, ku janë më të sigurta dhe me norma më të ulëta interesi. Kujtojmë që borxhi publik vitin e kaluar ishte sa 62% e BPV./ Alsa.mk