Hakan Calhanoglu e pranon se kjo është periudha më e mirë e karrierës së tij dhe paralajmëron të tjerët se ‘është e vështirë për këdo që të mundë’ Interin.
Interi shkëlqeu në Monza, pasi liderët e Serisë A dolën me një rezultat komod prej 5-1 nga kjo ndeshje.
Lautaro Martinez dhe Calhanoglu realizuan nga dy gola, ndërsa Matteo Pessina shënoi një gol ngushëllues për vendësit, përpara golit të fundit të Marcus Thuram.
“Kjo ishte përgjigja e duhur ndaj kritikave. Një lojë si ajo kundër Veronës mund të ndodhë, por gjëja e rëndësishme është të përqendrohemi në testin tjetër”, ka thënë Calhanoglu për Sky Sport Italia.
Ne kishim kohë për t’u rikuperuar dhe treguam në 20 minutat e para se çfarë donim të bënim.
Fitorja rikthen presionin mbi Juventusin, i cili nuk do të luajë deri të martën kundër Sassuolos dhe e di se duhet të fitojë për të mbajtur diferencën në dy pikë.
“Unë nuk shoh se çfarë po bëjnë të tjerët. Ata bëjnë punën e tyre, ne tonën. Ne gjithmonë do të përpiqemi të përmirësohemi dhe Monza ka lojtarë cilësorë, por nëse luajmë kështu, është e vështirë për këdo që të na mundë”, ka thënë turku.