Çair: Mexhiti dhe Osmani shfaqin vizionin për arsimin

2 Min. Leximi

Kandidatët për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti (VLEN) dhe Bujar Osmani (BDI), po e vendosin arsimin në qendër të mesazheve të tyre elektorale. Të dy kandidatët njoftuan sot vizionin e tyre për arsimin.

Mexhiti njoftoi se të gjitha shkollat e Çairit janë të përgatitura për fillimin e vitit të ri shkollor. Sipas tij, gjatë ditëve të fundit janë vizituar të gjitha institucionet arsimore për të siguruar kushte të përshtatshme për nxënësit; aty ku është parë e nevojshme, janë bërë investime të menjëhershme dhe është realizuar pastrimi gjeneral. Një prioritet kyç, tha ai, është kalimi në mësim me një ndërrim, që nis në Shkollën Fillore “Kongresi i Manastirit” dhe do të zgjerohet edhe në shkolla të tjera.

- Advertisement -

“Vetëm këtë vit, afro 1.000 fëmijë do ta nisin për herë të parë rrugëtimin në bankat e shkollës. Për ta dhe për të gjithë nxënësit kemi obligim të ofrojmë kushte të barabarta dhe mësim cilësor,” theksoi Mexhiti, duke falënderuar drejtuesit dhe stafin e shkollave për bashkëpunimin.

- Advertisement -

Nga ana tjetër, Osmani paraqiti para mësimdhënësve planin e tij për zhvillimin e arsimit, duke e quajtur investimin te fëmijët dhe te mësuesit si më të rëndësishmin.

“Ata janë si prindërit e dytë,” u shpreh ai, duke theksuar se mësuesit duhet të jenë të motivuar, të shpërblyer dhe të respektuar. Sipas Osmanit, Çairi duhet të bëhet komunë ku arsimi është prioriteti numër një.

“Asnjë bulevard, asnjë ndërtesë nuk është më e rëndësishme se mundësia që çdo fëmijë të ketë fëmijëri dinjitoze dhe arsim cilësor.”

Si masë konkrete, ai propozoi kufizimin e numrit të nxënësve për klasë, veçanërisht në shkollat ku aktualisht arrin deri në 35./VOXAL/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull