Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka vlerësuar lart suksesin e nxënësve të dalluar që përfaqësuan qytetin në garën ndërkombëtare të programimit CodingOlympiad 2026, duke theksuar se investimi në arsim dhe teknologji mbetet prioritet i komunës.
Kasami theksoi se Komuna e Tetovës do të vazhdojë të inkurajojë dhe mbështesë nxënësit e talentuar në zhvillimin e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, duke i konsideruar këto fusha si thelbësore për të ardhmen e gjeneratave të reja.
Njoftimi i plotë:
Sot me certifikata dhe çmime kemi shpërblyer nxënësit e dalluar të cilët kanë marrë pjesë në një garë ndërkombëtare në fushën e programimit CodingOlympiad 2026 të cilët kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme duke përfaqësuar Tetovën me dinjitet. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë nxënës nga 8 shkolla fillore, të cilët u shpërblyen me çmime Gold, Silver, Bronze, si dhe Honorable Mention dhe Participation Certificates. Ne si komunë inkurajojmë dhe me përkushtim mbështesim këta nxënës që të vazhdojnë të punojnë dhe të aftësohen në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. Mbështetja e talenteve të reja dhe nxitja e eksplorimit të pavarur në arsim, teknologji dhe shkencë është një ndër themelet bazë të arsimimit të gjeneratave të reja që ne po përpiqemi ta zgjerojmë dhe ta përfshijmë edhe në shkollat komunale . Shprehim falënderim të veçantë për drejtuesit e STEMlab të cilët kanë bërë të mundur pjesëmarrjen e nxënësve në këtë garë ndërkombëtare.


